Lajme

Foshnja e porsalindur gjendet në koshin e tualetit të avionit


Stafi i Aeroportit të Mauritius ka gjetur një foshnje të porsalindur, të seksit mashkull, të braktisur brenda një koshi mbeturinash në tualetin e një avioni.

Vajza 20-vjeçare nga Madagaskari, e cila dyshohet se është e ëma e foshnjës së gjendur, është arrestuar menjëherë nga autoritetet policore.

Avioni i Air Mauritius u nis nga Madagaskari dhe u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Sir Seewoosagur Ramgoolam”, ditën e parë të vitit 2022.

Kanë qenë pikërisht oficerët e aeroportit që zbuluan foshnjën e porsalindur, ndërsa po kontrollonin avionin si rutinë doganore.

Si fillim, ata kanë vënë re se, në tualetin e aeroportit kishte letra higjienike të lyera me gjak.

Më pas, ata zbuluan foshnjën e braktisur, të cilën e dërguan në spitalin publik për trajtim mjekësor.

Autoritetet policore të aeroportit kanë marrë në pyetje edhe pasagjerët e fluturimit.

Gruaja, e dyshuar si nëna e fëmijës, e cila fillimisht mohoi se ishte djali i saj, iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor, sipas të cilit u konfirmua se ajo sapo kishte lindur.

Më pas, ajo u la nën vëzhgimin e policisë, ndërsa po merr dhe trajtimin spitalor.

E ëma dhe foshnja thuhet se janë mirë.

Gruaja, e cila mbërriti në Mauritius me një leje pune dyvjeçare, do të merret në pyetje pas daljes nga spitali, ndërsa ndaj saj janë ngritur akuzat për braktisjen e një të porsalinduri.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore