Muzikë

“Formation” nga Beyonce – Video klipi më i mirë i të gjitha kohërave


Beyonce - Artiste

Beyonce dhe sukseset e saj të arritura ndër vite kanë bërë revolucion në industrinë e muzikës botërore duke e ngritur atë lart në piedestalin e famës dhe duke e bërë atë epiqendër të lajmeve për mediat rozë, si nga jeta profesionale ashtu edhe nga ajo personale.

Ani pse numëron mbi dy dekada që prej debutimit të saj në sferën e artit të muzikës, Beyonce, akoma pas shumë vjetësh vazhdon të na surprizojë me projekte nga më uniket dhe me një ushtri fansash nga më të mëdhatë.

Së fundmi, video klipi i saj i vitit 2016, “Formation”, është përzgjedhur si videoja muzikore më e mirë e të gjitha kohërave sipas revistës prestigjioze “Rolling Stone”.

Beyonce në skenat e klipit “Formation”.

“Formation” – një video klip nga Beyonce me regji të Melina Matsoukas e ka siguruar vendin e parë në listën prej 100 video klipesh muzikore të renditura nga revista e famshme.

Madje, ky video klip pas ka lënë edhe disa prej video klipeve më ikonike të shekullit 20 dhe 21, të tilla si “Billie Jean” e Michael Jackson, “Kiss” të Prince dhe atë të Lady Gagas “Bad Romance”.

Beyonce në skenat e klipit “Formation”.

Videoja e “Formation” e Beyonce-s paraqiste disa pamje mahnitëse, përfshirë 39-vjeçaren të vendosur mbi një makinë policie që po fundosej në New Orleans të rrënuar dhe të vërshuar nga shiu dhe një mur me fjalë të shkruara më llak – “ndalo të na qëllosh – mos vrit” (e cila thuhet t’i jetë kushtuar policisë dhe qasjes së tyre ndaj personave të racës së zezë).

“Stop shooting us” – pjesë e skenave të video klipit “Formation” nga Beyonce.

Sipas regjisores Matsoukas, në një intervistë për “The New Yorker” të dhënë në vitin 2017 – Beyonce, donte që videoja të tregonte “ndikimin historik të skllavërisë në dashurinë e njerëzve me ngjyrë dhe të bëmat që i janë bërë atyre”.

“Doja të tregoja – këta janë njerëz të zinj. Ne triumfojmë, vuajmë, po mbytemi, na rrahin, vallëzojmë, hamë dhe jemi akoma këtu”, kishte shtuar Matsoukas ndërsa ka diskutuar për konceptin e videos.

Sidoqoftë, aso kohe kur Beyonce e kishte publikuar këtë video projekt muzikor, ajo ishte kritikuar se video klipi përmban një qasje jo korrekte dhe mesazhe “anti-policore”.

Por, nuk vonoi shumë, dhe gjatë një intervistë për Elle, Beyonce mohoi akuzat duke pretenduar se kushdo që besonte me të vërtetë se ajo ishte “anti-polici” kishte gabuar.

Mes skenash të “Fomation”.

“Unë jam një artiste dhe mendoj se arti më i fuqishëm zakonisht keqkuptohet”.

“Por kushdo që e percepton mesazhin tim si anti-polici gabon plotësisht. Kam shumë admirim dhe respekt për oficerët dhe familjet e oficerëve që sakrifikojnë veten për të na mbajtur të sigurt”, kishte thënë Beyonce.

Beyonce, po ashtu kishte shpjeguar se cili është mesazhi i saktë i këtij projekti.

Beyonce në skenat e klipit “Formation”.

“Por le të jemi të qartë: Unë jam kundër brutalitetit dhe padrejtësisë së policisë. Këto janë dy gjëra të ndara”, shpjegoi ajo.

Ylli i hitit “Partition”, ka qenë pjesë e kësaj liste edhe dy herë të tjera me video klipet si – “Single Ladies” në pozitën 12 dhe “Telephone”, një bashkëpunim me Lady Gaga, të pozicionuar në vendin e 66.

Ndërkohë, ajo sapo ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor të titulluar “Otherside”, e që për më pak se 15 orë ka grumbulluar afro 1 milion klikime në YouTube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore