Përballje

Formacioni i mundshëm i Kosovës kundër Spanjës, mungon Valon Berisha


Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Spanjën të mërkurën në ora 20:45 në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas, ndeshje kjo shumë e vlefshme për kualifikimet në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Dardanët vijnë në këtë ndeshje pas humbjes në takimin e parë të grupit ndaj Suedisë me rezultat 3:0 dhe ata synojnë të kthehen te paraqitjet sa më dinjitoze.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, nuk do të ketë në dispozicion në këtë ndeshje Valon Berishën, Amir Rrahmanin dhe Bernard Berishën i cili u ndëshkua me karton të kuq në fund të ndeshjes me Suedinë.

Challandes, si rrallë herë më parë, në këtë takim të vështirë pritet që ta ndërrojë skemën e tij të preferuar.

Skema që pritet ta përdor trajneri i Kosovës në këtë ndeshje, është 5-4-1 e cila mund të transformohet edhe në 3-4-3.

Në portë pritet të jetë përsëri Samir Ujkani, ndërsa në mbrojtje do të kthehet Ibrahim Dresevic nga suspendimi për të kompletuar treshen ofensive së bashku me Mërgim Vojvodën dhe Fidal Alitin.

Nga krahë pritet të luajnë Florent Hadergjonaj dhe Leart Paqarada në vend të Benjamin Kolollit, si dhe në mesfushë pritet të jetë Besar Halimi dhe Hekuran Kryeziu.

Më të avancuar në mesfushën verdhekaltër, do të jenë Milot Rashica dhe Arbër Zeneli, të cilët do ta ndihmojnë Vedat Muriqin në qendër të sulmit, ndërsa Bersant Celina me shumë gjasë do të nisë ndeshjen nga stoli.

Formacioni i mundshëm i Kosovës (5-4-1): Ujkani; Hadergjonaj, Dreshevic, Vojvoda, Aliti, Paqarada; Halimi, Kryeziu; Rashica, Zeneli; dhe Muriqi.

Formacioni  i mundshëm i Spanjës (4-3-3): Unai Simón; Marcos Llorente, Eric García, Sergio Ramos, Jordi Alba; Pedri, Koke, Canales; Oyarzabal, Dani Olmo dhe Gerard Moreno.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore