Lajme

Forcat izraelite vrasin një palestinez në Hebron, ndërsa tensionet po rriten


Forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje një palestinez në qytetin jugor të Hebron-it në Bregun Perëndimor të pushtuar, vrasja e fundit në një valë dhune në rritje.

Ministria e Shëndetësisë palestineze tha se ai u qëllua në kokë të hënën në mëngjes.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez (PA) “Wafa”, tha se forcat izraelite “të vendosura në pikën e kontrollit ushtarak 160, në jug të xhamisë Ibrahimi në qendër të Hebronit, qëlluan me plumba të vërtetë në automjetin e të riut, duke e plagosur atë me një plumb në kokë, pas së cilës ai u transferua në spitalin Al-Ahly në qytet dhe se më pas u konstatua i vdekur”.

Abu Fouda është palestinezi i 35-të që vritet nga forcat izraelite në janar 2023. Numri i të vdekurve përfshin tetë fëmijë.

Vrasja e fundit vjen ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA-ve Antony Blinken viziton rajonin.

Blinken do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem të hënën dhe presidentin e AP Mahmoud Abbas në Ramallah të martën.

Ndërsa Kombet e Bashkuara thanë se viti 2022 ishte viti më vdekjeprurës për palestinezët në Bregun Perëndimor që nga viti 2005, me të paktën 170 njerëz të vrarë, numri i palestinezëve të vrarë nga Izraeli këtë muaj e vendos vitin 2023 në rrugën për ta tejkaluar këtë shifër.

Të enjten në mëngjes, ushtria izraelite, në një operacion të përbashkët me policinë dhe inteligjencën, nisi një bastisje në shkallë të gjerë në kampin e refugjatëve Jenin, duke vrarë 10 palestinezë, duke përfshirë dy fëmijë dhe një grua, në atë që u përshkrua nga palestinezët si një “masakër”.

Të nesërmen, një palestinez 21-vjeçar vrau shtatë izraelitë në një vendbanim të paligjshëm në Jerusalemin Lindor të pushtuar.

Tensionet në terren vazhduan të përshkallëzohen gjatë fundjavës. Forcat izraelite kanë vrarë katër palestinezë që nga bastisja e kampit Jenin dhe kolonët kanë kryer dhjetëra sulme ndaj palestinezëve në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, duke plagosur njerëz me municion të vërtetë dhe duke kryer zjarrvënie në makina dhe prona.

Të shtunën, Netanyahu tha se do të përshpejtonte lejet e armëve për qytetarët izraelitë, një veprim që shihet si “dënim kolektiv” dhe një veprim që mund të rrisë më tej dhunën.

Qeveria e re izraelite, e krijuar muajin e kaluar, është më e djathta në historinë e vendit dhe ka ngjallur frikë për palestinezët që jetojnë nën okupimin e paligjshëm ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor dhe në Izrael, si dhe izraelitët e krahut të majtë.

Qeveria e re përfshin Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe Ministrin e Financave Bezalel Smotrich, të cilët të dy janë të hapur për qëllimin e tyre për të zgjeruar vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor dhe aneksimin e tokës palestineze dhe janë të njohur për nxitjen e dhunës kundër palestinezëve.

Të dy janë kolonë që jetojnë thellë brenda Bregut Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore