Lajme

Forcat izraelite sulmojnë depon e Hezbollah-ut


Regjimi sirian akuzoi Izraelin për kryerjen e një sulmi ajror në provincën qendrore të Homs-it, hera e dytë në po kaq ditë.

Një zyrtar i paidentifikuar ushtarak sirian, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi shumicën e raketave në sulmin që ndodhi të enjten e 22 korrikut.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani konfirmoi sulmet, duke theksuar se ato shkatërruan municione dhe depo armësh që i përkisnin Hezbollah-ut në Liban.

Çfarë përfaqëson Hezbollah-u?

Hezbollah është një parti politike myslimane shiite dhe një grup militant pro iranian, me seli në Liban.

Grupi, i mbështetur nga Irani, njihet si kundërshtar i Izraelit që kërkon eliminimin e tij dhe për rezistencën ndaj ndikimit Perëndimor në Lindjen e Mesme.

Hezbollah-u konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli dhe Arabia Saudite.

Vendet e Bashkimit Evropian njohin si terroriste vetëm krahun e tij ushtarak dhe pak prej tyre kanë futur në listën e terrorizmit edhe krahun e tij politik.

Së fundmi, edhe qeveria e Kosovës miratoi vendimin me të cilin krahu politik dhe ushtarak i Hezbollah-ut shpallet organizatë terroriste.

Mbështetja e tij për regjimin e Bashar al-Asadit e ka shndërruar Hezbollah-un në një forcë ushtarake gjithnjë e më efektive.

Hezbollah u krijua zyrtarisht në 1985, gjatë luftës civile të Libanit. Lufta shpërtheu në 1975, kur pakënaqësitë për praninë e trupave të armatosur palestineze në vend arriti një pikë vlimi. Hezbollahu mbart meritën e fitores kundër pushtimit izraelit në vitin 2000.

Sipas një marrëveshjeje politike të vitit 1943 dhe një marrëveshjeje në qytetin e Taif-it në Arabinë Saudite në 1989, pushteti politik është i ndarë midis grupeve fetare mbizotëruese të Libanit.

Një mysliman suni shërben si kryeministër, një i krishterë maronit si president dhe një mysliman shiit si kryetar i parlamentit.

Hezbollah e quan veten “lëvizja shiite e rezistencës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore