Lajme

Forcat iraniane i kanë qëlluar vajzat dhe gratë në fytyrë dhe në organet gjenitale


Është më shumë se e dhimbshme, por në Iran po ndodh.

Forcat iraniane të sigurisë po i shënjestrojnë vajzat dhe gratë duke i gjuajtur me armë në fytyrë dhe në organet gjenitale në protestat kundër regjimit.

Mjekët e atjeshëm kanë treguar se e kanë vënë re praktikën teksa gratë shkonin me plagë të ndryshme nga burrat, të cilët më shpesh kishin fishekë gjahu në këmbë dhe shpinë.

Teksa një ndërprerje e internetit ka fshehur pjesën më të madhe të goditjes së përgjakshme ndaj protestuesve, fotografitë e ofruara nga mjekët shfaqin plagë shkatërruese në të gjithë trupin e tyre.

Plagë të marra nga të ashtuquajturat fishekë për armë gjahu, të cilat forcat e sigurisë i kanë gjuajtur mbi njerëzit nga një distancë e afërt.

Dhe në fotografitë e ofruara paraqiten dhjetëra fishekë të vegjël të ngulur thellë në trupin e njerëzve.

“The Guardian” ka folur me dhjetë profesionistë të mjekësisë, të cilët kanë paralajmëruar për seriozitetin e lëndimeve që mund të lënë qindra të rinj iranianë me dëmtime të përhershme.

Sipas tyre, të shtënat në sytë e grave, burrave dhe fëmijëve ishin veçanërisht më të shpeshta.

Një mjek nga provinca qendrore e Isfahanit beson se autoritetet po synojnë burrat dhe gratë në mënyra të ndryshme sepse “duna të shkatërrojnë bukurinë e grave”.

“Kam trajtuar një vajzë rreth të 20-tave, e cila u qëllua në organet gjenitale nga dy fishekë. Dhjetë fishekë të tjerë u futën në pjesën e brendshme të kofshës së saj. Dy fishekë ishin një sfidë, sepse ishin futur në mes të uretrës së saj dhe hapjes vaginale”, ka thënë mjeku.

“Kishte një rrezik serioz të infeksionit vaginal, ndaj i kërkova të shkonte te një gjinekologe e besuar. Ajo po protestonte kur një grup prej rreth dhjetë agjentësh të sigurisë e rrethuan dhe e qëlluan”, ka treguar ai.

I traumatizuar nga përvoja e tij, mjeku ka thënë se e kishte të vështirë të përballej me stresin dhe dhimbjen.

“Ajo mund të kishte qenë vajza ime”, ka thënë ai.

Ndërkaq, disa profesionistë të tjerë të mjekësisë kanë akuzuar forcat e sigurisë për injorim të praktikave të kontrollit të trazirave, të tilla si gjuajtja me armë në këmbë për të shmangur dëmtimin e organeve vitale.

Një mjek nga Karaj, një qytet afër Teheranit, ka treguar se forcat e sigurisë “qëllojnë në fytyrat dhe pjesët vitale të trupit të grave sepse kanë një kompleks inferioriteti… duan të heqin qafe komplekset e tyre seksuale duke lënduar të rinjtë”.

Sipas aktivistëve, një dhunë e tillë e tmerrshme me bazë gjinore nuk është befasi duke pasur parasysh sundimin mizogjen të ajatollahëve të Iranit, të cilët morën pushtetin në revolucionin e vitit 1979 dhe kanë mbajtur kontrollin me forcë brutale, shpesh kundër grave.

Ishte vdekja në shtator e 22-vjeçares Mahsa Amini, ajo që ndezi sfidën më të guximshme ndaj sundimit teokratik të linjës së ashpër të klerikëve të vendit.

Amini u arrestua për mbajtjen e pahijshme të hixhabit dhe më pas u rrah deri sa ra në koma nga policia morale e Iranit.

Në ditët pas vdekjes së saj, vajzat dhe gratë në mbarë vendin kundërshtuan kodin ligjor të veshjes dhe hoqën hixhabet e tyre.

Teherani ka fajësuar vazhdimisht armiqtë e huaj për trazirat dhe ka akuzuar “terroristët” për vrasjen e dhjetëra anëtarëve të forcave të sigurisë.

Kjo bie ndesh me deklaratat e zyrës së OKB-së të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, e cila ka zbuluar se më shumë se 300 njerëz ishin vrarë deri më tani, duke përfshirë më shumë se 40 fëmijë.

Teksa këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka miratuar rezolutën për të krijuar një mision faktmbledhës për të hetuar shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut, hetuesit nuk ka gjasa të pranohen në vend.

Madje, një pjesë e fushatës së frikësimit të Teheranit ka përfshirë kërcënime ndaj mjekëve që trajtojnë të plagosurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore