Shqipëria

Forcat e armatosuara 800 pako ushqime në zonat e bllokuara nga bora


Ministria e Brendshme ka lajmëruar, dërgimin e 800 pakove me ushqime nga Forcat e Armatosura për banorët e fshatrave të bllokuar në bashkitë e Vaut të Dejës, Mirditë, Lezhë dhe Kurbin.

Pakot janë siguruar nga Rezervat Materiale të Shtetit, të cilat krijohen për të ndërhyrë, për mbrojtjen e popullsisë,  ekonomisë dhe vendit, në situata emergjente dhe të gjendjes së jashtëzakonshme.

Forcat e Armatosura janë të angazhuara po ashtu, për hapjen e rrugës së fshatit Trebinjë në Pogradec dhe zonës së Thethit në Shkodër.

Trupat dhe mjetet lundruese dhe të kalueshmërisë së lartë të batalionit të I të këmbësorisë dhe atij të mbështetjes rajonale po ndihmojnë lëvizjen e banorëve të njësive administrative Ana e Malit dhe Dajç në bashkinë e Shkodrës.

Ndërkohë të gjithë territorin e vendit mbizotëron mot i kthjellët, me vranësira lokale, i shoqëruar me temperatura të ulëta.

Të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme, por në zonat malore rekomandaohet përdorimi i gomave dimërore. Në akset rurale të zonave malore është e nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.

Forcat e Armatosura mbeten në gatishmëri në të gjithë territorin e vendit për të ndërhyrë në rast nevojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore