Fondi i Sigurisë, përpjekja e dëshpëruar e qeverisë për të bërë diçka

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Altina Marmullaku
03.03.2022 7:30
Loading Icons...

Kërkesa që të themelohet Fondi i Sigurisë në Kosovë, është bërë që nga viti 2009, atëherë kur Trupat Mbrojtës të Kosovës (TMK) zyrtarisht u shpërbën në Forca të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ky fond i miratuar me 1 mars 2022 nga Qeveria e Kosovës, do të shërbejë ekskluzivisht vetëm për ushtrinë e Kosovës, qoftë për blerjen e armatimit, qoftë për trajnimin e ushtarëve të Kosovës.

Për njohësen e sigurisë në Kosovë, Besa Kabashi, fondi, më shumë se gjithçka tjetër, flet për të metat e qeverisë në të kuptuarit e çështjeve të sigurisë.

“Është shqetësuese të shikosh se si kjo qeveri dëshmon paaftësinë e saj për të kuptuar sigurinë kombëtare, e lëre më të jetë në gjendje të identifikojë dhe planifikojë se si t’i trajtojë konkretisht kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë ndaj Kosovës”, thotë Kabashi për Albnian Post.

Sipas saj, qeveria në realitet, “po tregon qartë se nuk e kupton sigurinë kombëtare dhe aparatin e saj dhe se si në të vërtetë financohet dhe funksionon ky sektor”.

Ajo sqaron se ushtria kërkon të ketë çasje serioze institucionale për financimin e saj, prandaj edhe kërkohen njohuri të thella rreth financimit.

“Një ushtri e fortë nuk mund të ndërtohet e as të mbahet nga ‘lëmosha’, është e paqëndrueshme, jo serioze, jashtë sistemit shtetëror tashmë ekzistues për të mbështetur planin zhvillimor të FSK-së, dhe një barrë tjetër e rëndë për një popullatë tashmë të varfër që mezi përballon ushqimin dhe rrymën. Mos të flasim për një mërgatë të rraskapitur me barrën e ndihmës për ne, me dekada të tëra”.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kabashi, ka edhe dy kërkesa ndaj institucioneve që vlerëson se kanë nevojë për zhvillim.

“FSK-ja duhet të zhvillojë tutje Gardën Kombëtare, ku njerëzit mund të kontribuojnë drejtpërdrejt duke u bërë pjesë e Gardës Kombëtare. Nga ana tjetër, Kosova ka nevojë për një rishikim të ri të sektorit të sigurisë për të përditësuar kërcënimet dhe rreziqet e saj të sigurisë dhe për të mundësuar një strategji të mirëinformuar të sigurisë kombëtare”.

Sipas saj, plotësimi i këtyre kërkesave është urgjent për arsyeje siç thotë ajo, “Kosova dhe asnjë vend tjetër nuk mund të mbrohet vetëm me fuqi ushtarake”.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Avni Islami për Albanian Post deklaron se është vetëm një zgjidhje që mundëson që ky fond të jetë i përhershëm ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Mendoj që është edhe koha që Ushtria e Kosovës të modernizohet në një forcë mbrojtëse që do të ishte e gatshme dhe e aftë që ta mbrojë Republikën e Kosovës, kësisoj mendoj që fondi i veçantë i sigurisë është më i nevojshëm dhe shpresoj që një të ardhme jo të largët që shteti i Kosovës, institucionet ta bëjnë me ligj që secili punëtor i administratës që paguhet nga tatim pagues i shtetit dhe ata privat ta ndajë nga paga mujore një shumë të veçantë”.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Islami, pohon se ky fond është vonuar për shkak të kërkesave juridike.

“Kërkesa për një fond që forcat e armatosur të Kosovës ta rritin kapacitetin e saj operacional ka qenë kërkesë e kahershme, mirëpo kjo në aspektin procedural e juridik nuk ishte e mundur pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës me ligj është transformuar në forca të armatosura të Kosovës, kësisoj është hapur rruga që të hapat një fond i veçantë”.

Themelohet Fondi i Sigurisë në Kosovë

Më 1 mars, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook, ka thënë se ky fond është bërë i domosdoshëm pas agresionit rus në Ukrainë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka shkruar Kurti.

Kurti tutje ka sqaruar se funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Qeveria e Kosovës.

Ndërsa, më 2 mars, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka bërë të ditur se Thesari i Kosovës ka hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve të cilat dedikohen për siguri.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë me mjete financiare dedikuar sigurisë së Kosovës.

“Siguria jonë kurrë nuk ka nënkuptuar pasiguri për të tjerët. Përkundrazi, dje, sot dhe nesër, ishim, jemi e do të jemi siguri e mbrojtje për të gjithë, pa dallim”, tha Mehaj përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se në ditët në vijim do të bëhen të ditura detajet e tjera se si qytetarët do të mund të kontribuojnë në këtë fond.

Ndryshe, buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në në 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Të fundit

Aktuale