Shqipëria

“Fondi i emergjencave”, si do të veprojë për Shkodrën dhe Lezhën


Me përmirësimin e lehtë të kushteve atmosferike, do të vijë momenti i bilanceve pas reshjeve intensive në veri të Shqipërisë.

Situata pas reshjeve të dendura të shiut është në përmirësim, por mbetet problematike.

Kështu perifrazoi ministri i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, Niko Peleshi, në një dalje për mediat.

Zyrtari shqiptar theksoi se reshjet vijojnë ndaj duhet monitorim i vazhdueshëm, ku qarqet më të prekura mbeten Shkodra dhe Lezha.

Që prej ditës së parë, në terren u angazhuan 570 Forca të Armatosura, 495 forca zjarrfikëse, 3.400 forca nga Policia e Shtetit, 315 forca vullnetare dhe ekipet e shërbimit mjekësor.

Ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Republikën e Shqipërisë, Elisa Spiropali u bëri thirrje më herët autoriteteve lokale që të përdorin “fondin e emergjencave”.

“Dua ta theksoj dhe besoj se nuk duhet të lodhemi së thëni se pushteti vendor duhet që ‘fondin e emergjencës’ të pakushtëzuar ta përdori në këtë ditë të keqe”, theksoi fillimisht zyrtarja shqiptare.

Ministrja shtoi se është pikërisht për këtë arsye pse qeveria edhe këtë vit edhe vitin e ardhshëm e ka parashikuar në buxhet “për të gjitha ato gjëra që i duhen qytetarëve në këtë ditë”.

“Buxheti i emergjencave ka absolutisht mundësi t’i plotësojë këto nevoja”, shtoi Spiropali.

Fondet

Ministria e Mbrojtjes zbuloi për Albanian Post fondin e akorduar për dy bashkitë më të prekura.

Bashkia e Shkodrës, sipas MM-së, ka përftuar 29 milionë e 695 mijë e 582 lekë, ndërsa bashkia e Lezhës ka marrë 18 milionë e 551 mijë e 674 lekë.

Këto të përfshira nga fondi i emergjencave prej 10 milionë eurosh në total.

Ndërsa, AKMC-ja për vitin 2022 ka financuar 13 projekte për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë në 13 bashki me nje fond total prej 700 milionë lekësh.

“Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm”, theksoi MM-ja për Albanian Post.

Në VKM, nënvizohet se ky buxhet mund të përdoret për shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike ose akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet.

Së dyti, ky buxhet mund të asistojë për marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin.

Mes të tjerash, renditen shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente ose mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile.

Qeverisja vendore

Sipas ministrit Peleshi, të gjitha bashkitë kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë eurosh.

“Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë Euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm”, theksonte zyrtari shqiptar më herët.

Më 10 prill Ministria e Mbrojtjes u akordoi bashkive këtë fond.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë më shumë burime financiare për të përballuar Emergjencat Civile në territorin e tyre”, shkruante ministria në deklaratën e saj.

Sipas njoftimit, ky fond u është shpërndarë të 61 bashkive të Republikës së Shqipërisë.

Kjo, bazuar në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive.

Fondi ndihmon bashkitë në përmbushjen e detyrimeve të tyre në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të planifikojnë fonde të tjera shtesë nga nga të ardhurat e veta vendore, nga fondet që u vijnë drejtpërdrejt nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacionet etj.

Në rastin e bashkive më të prekura nga reshjet intensive si Shkodra dhe Lezha, nëse fondi i kushtëzuar ka përfunduar atëherë Qeveria shqiptare ka të drejtën që të përdorë fondin e emergjencave civile.

Situata

“Në Shkodër janë të evakuuar 22 familje, 83 persona, nga 318 që ishin në fillim dhe nuk ka asnjë banesë nën ujë, por kanë mbetur 1 mijë e 305 hektarë të përmbytur. Në Lezhë janë 1 mijë e 300 hektarë të përmbytur, 4 banesa nën ujë. Duket se reshjet po kalojnë në jug, ku pritet të ketë prurje të larta në lumenjtë Drinos dhe Shushicë”, shpjegoi Peleshi duke iu referuar situatës së përditësuar të reshjeve në vend.

Zyrtari shtoi se problematikë ngelen rezervuaret në gjithë Shqipërinë.

Situata e lumenjve është e kontrolluar, ku lumi Drin dhe Buna janë aktualisht poshtë nivelit kritik.

Ai theksoi se në Hidrovore: Droje, Shllinze, Tale, Ishull Shëngjin, Gryke Zeze, Gocaj, Balldre nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore