Shqipëria

Fondi Arab i Zhvillim i jep kredi Shqipërisë për përfundimin e rrugës Qukës-Qaf Plloçë


Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje huaje me Fondin Arab të Zhvillimit për përfundimin e plotë të rrugës Qukës-Qaf Plloçë.

Kredia është me vlerë 49 milionë dollarë, ndërsa më herët janë dhënë edhe 25 milionë dollarë.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se përqindja e interesit të kredisë është 2% dhe afati për shlyerjen e saj është 25 vite.

“Marrëveshja synon përfundimin e plotë të rrugës Qukës-Qaf Plloçë. Përfundimi i rrugës shkurton distancën, rrit aktivitetin e biznesit dhe përmirëson turizmin. Synohet përmirësimi i parametrave të infrastrukturës rrugore dhe shkurton distancën me Kapshticën. Të nxisim turizmin në zonën juglindore dhe zhvillimin e bujqësisë. Projekti është në zbatim dhe financohet me 25 milionë dollarë të nënshkruar më herët, dhe një hua tjetër nga banka islamike”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv i Fondit Arab të Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad u shpreh se nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë dhe do të ndikojë në përmirësimin ekonomik të zonës, por sipas tij edhe në reduktimin e vështirësive në transport.

“Ky projekt vjen në kuadër të interesimit të madh të Arabisë Saudite për projekte për zhvillimin e Shqipërisë. Ne kemi dhënë deri tani 4 kredi zhvillimore për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. I shpreh vlerësimet e mia qeverisë shqiptare dhe të gjithë popullin shqiptar. Shpresoj që ky projekt të jetë burim për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, tha ai.

Segmenti prej 43 kilometrash i rrugës, Qukës Qafë-Plloçë është pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë rrugën nga kryeqyteti për në juglindje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore