Financa

FMN-ja miraton kredinë prej 2.7 miliardë dollarësh për Panamanë


Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të martën ka miratuar një kredi prej 2.7 miliardë dollarësh për Panamanë.

FMN-ja miratoi marrëveshjen dy vjeçare për të shërbyer si siguri ekonomike kundër goditjeve ekonomike që ka shkaktuar pandemia.

Në përcaktimin e kredisë, institucioni financiar nënvizoi bazat e shëndosha ekonomike, kornizat e forta të politikës institucionale, historinë e gjatë të performancës së mirë ekonomike dhe zbatimin efektiv të politikave ekonomike të Panamasë.

Kredia do të ndihmojë sektorin e shëndetësisë dhe programe të tjera sociale, të planifikuara për të zbutur goditjet nga pandemia.

Nga qeveria e Panamasë nuk ka akoma një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë zhvillim.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i FMN-së, Mitsuhiro Furusawa, vlerësoi përpjekjet e qeverisë për ndalimin e pandemisë.

Panamaja ka pasur 302 mijë persona të prekur nga pandemia, ku 4 mijë e 864 persona kanë humbur betejën me coronavirus-in./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore