Lajme

Flasin nga presidenca sllovene për AP: Dialogu përgjigjja për Asociacionin


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Zyra për media e Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kanë thënë se kërkesa e Pahor drejtuar institucioneve të Kosovës që ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mund të zbatohet vetëm përmes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë një vizite të fundit pune në Kosovë, theksoi se ishte i vetëdijshëm për disa çështje të hapura lidhur me zbatimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe se beson se dialogu është një përgjigje për të gjitha mosmarrëveshjet”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Pahor për AP.

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor

Megjithatë, nuk janë përgjigjur kur janë pyetur nga AP nëse ky qëndrim i Pahor vjen pasi me një korrik të këtij viti Sllovenia është udhëheqësja e radhës e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Më 29 nëntor, Pahor pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë theksoi se dy palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Fillimi i dialogut ka dhënë një bindje që çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen me dialog dhe rrugë të qetë. Kushti i parë është që t’i besohet dialogut dhe të respektohen marrëveshjet”, tha ai

Ai potencoi se Sllovenia e mbështet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe pret hapa konkrete në çështjen e personave të zhdukur.

“Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në BE, dialogu nuk është i thjeshtë duhet të zgjidhen çështje shumë komplekse”, deklaroi tutje ai.

Pahor, ka deklaruar po ashtu se BE duhet t’ia liberalizojë vizat për Kosovën.

“Sllovenia e mbështet perspektivën euro atlantike të Kosovës, Sllovenia e ka pranuar subjektivitetin e Kosovës dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe politike me të, Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së”, ka thënë Pahor.

Sa i përket themelimit të Asociacionit, në një linjë me Slloveninë janë edhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Duhet të bëjmë gjithçka që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar”, pati thënë Stano.

Peter Stano

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për BBC-në pati deklaruar se  “Serbia po dëshiron bosnjëzimin e Kosovës” dhe është shprehur i bindur se nuk do të lejojë që kjo të ndodhë.

“Kur Asociacioni nuk u implementua, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi. Ishte Beogradi që u zemërua”.

“Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë u bënë bashkë e krijuan Asociacionin. Më 9 janar 1992, e shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992, e bënë Kushtetutën e tyre, më 14 dhjetor 1995 në Dejton arritën njohjen ndërkombëtare”.

“Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë”, është shprehur Kurti.

“Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë, do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët”.

“Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”, kishte thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore