Lajme

Flamuri i Kosovës “problem” në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit


Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka vendosur që të vazhdojë punimet e seancën virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që ministrja për Punë të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.

Pas fillimit të seancës, përfaqësuesja e Kosovës, Donika Gërvalla nuk ka ndryshuar prapavijën dhe flamuri i Kosovës po qëndron sërish prapa saj në ambientin ku ajo po qëndron gjatë kësaj seance.

Flamuri i Kosovës u bë shkak i ndërprerjes së takimit virtual në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kryesuesi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga Vietnami ka ndërprerë takimin virtual, për shkak se përfaqësuesi i Rusisë, Dmitry Polyanskiy, ka kërkuar që përfaqësuesja e Kosovës, Donika Gërvalla ta largojë flamurin e Kosovës nga prapavija.

“Rusia në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës në prapavijë ose të ndryshojë ambientin”, ka shkruar në Twitter, producentja për “Al Jazeera English”.

Takimi ishte ndërprerë për konsultime të mbyllura.

 

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç gjatë kësaj seance ka thënë se paraqitja e flamurit të Kosovës nga kryediplomatja Donika Gërvalla është abuzim me seancën virtuale të takimit.

“Ky është një abuzim me video-formatin, një abuzim i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe është cenim i rregullave të OKB-së”, ka thënë ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore