Boterori 2022

Flamuri fashist serb në zhveshtore të futbollistëve në Katar: UEFA nuk ka përgjigje për rastin


Në zhveshtoren e kombëtares së Serbisë në Katar, para ndeshjes me Brazilin u shfaq një flamur fashist me ngjyra nacionale të Serbisë dhe me hartën e Kosovës brenda, por nga Shtëpia e Futbollit Evropian – UEFA, në një përgjigje për Albanian Post, kanë deklaruar se nuk është brenda juridiksionit të tyre të komentojnë zhvillimin.

“Kupa e Botës bie nën rregullacionet e FIFA-s. Prandaj, ne sugjerojmë që për këtë çështje të kontaktohet FIFA”, thuhet në përgjigje për AP.

Albanian Post ka provuar të kontaktojë edhe me FIFA-n, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur një përgjigje.

Çfarë ndodhi?

Brenda zhveshtores së ekipit futbollistik serb në Katar është fotografuar një flamur me ngjyra të Serbisë dhe me hartën e Kosovës.

Flamuri fashistë përveç në kabinën e futbollistëve serbë është parë edhe në duar të tifozëve atje.

Një nga fotografitë është bërë para stadiumit “Lusail” ku Serbia luajti kundër Brazilit.

Falmuri-baner përmban simbole rreth të cilave organizohet gjuha fashiste dhe ksenofobike e serbëve ndaj shqiptarëve.

Një retorikë e tillë ishte e theksuar ndejshëm në vitet 90-ta para dhe gjatë luftërave në Jugosllavi.

Kosova është e pranuar në FIFA, derisa shtëpia e futbollit në të kaluarën është treguar shumë e ashpër me simbole dhe mesazhe të tilla.

Deri më tani, nuk dihet nëse ka pasur ndonjë reagim zyrtar.

Ndryshe, Serbia e humbi ndeshjen ndaj Brazilit me dy golat e shënuar nga sulmuesi i ekipit anglez Tottenham Hotspur, Richarlison.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore