Libra

Fjalimi i famshëm i William Lyon Phelps për librin dhe leximin


William Lyon Phelps (1865-1943) ishte një mësues, kritik letrar dhe shkrimtar amerikan.

William Lyon Phelps (1865-1943) ishte një mësues, kritik letrar dhe shkrimtar amerikan. Ai ishte profesor i anglishtes në Yale University nga 1901 deri në 1933. Veprat e tij më të njohura janë Advance of the English Novel dhe Essays on Modern Dramatists. Më 6 Prill 1933, ai mbajti këtë fjalim gjatë një transmetimi në radio.

Nderimin që ai i bënte librave nuk e bënin të gjithë, veçanërisht ata në Gjermaninë naziste. Më 10 maj 1933, nazistët kishin organizuar një ngjarje të paparë që nga Mesjeta pasi studentët e rinj gjermanë nga universitetet, që më parë konsideroheshin si ndër më të mirët në botë, ishin mbledhur në Berlin dhe qytete të tjera gjermane për të djegur libra që kishin ide “jo-gjermane “.

Zakoni i leximit është një nga resurset më të pasura të njerëzimit; dhe ne kënaqemi më shumë kur lexojmë libra që na përkasin neve sesa ato që i kemi huazuar. Një libër i huazuar është si një mysafir në shtëpi; duhet të trajtohet me përpikmëri, me një lloj formaliteti të vëmendshëm. Duhet të kesh kujdes të mos pësojë dëm; nuk duhet të vuajë nën çatinë tuaj. Nuk mund ta hedhësh andej-këndej me pakujdesi, nuk mund të nënvizosh në të, nuk mund t’i kthesh fletët mbrapsht, nuk mund t’a përdorësh si gjërat e tua. Dhe pastaj, një ditë, edhe pse kjo rrallë bëhet, vërtetë duhet ta kthesh.

Por librat e tu të përkasin ty; i trajton me intimitet të ndjeshëm që është përtej çdo formalitetit. Librat janë për t’u përdorur, jo për shfaqje; nuk duhet të kesh libra që ke frikë të shkruash në to, ose t’i vendosësh mbi tavolinë, krejt hapur dhe mbrapsht. Një arsye e mirë për nënvizim të pasazheve në libra është se të mundëson t’i mbash kujtosh më lehtë thëniet e rëndësishme, t’u referohesh më lehtë, dhe vite më vonë, është si të vizitosh një pyll ku ke krijuar një shteg. Ti ke kënaqësinë të kalosh në rrugën tënde të vjetër, dhe të rikujtosh skenën intelektuale dhe veten tënde të hershme.

Të gjithë duhet që në rininë e tyre të fillojnë të grumbullojnë një librari private; instinkti i pronës private, i cili është thelbësor në qeniet njerëzore, këtu mund të kultivohet me të gjitha përparësitë dhe asnjë të keqe. Të gjithë duhet të kenë rafte e tyre me libra, të cilat nuk duhen të mbyller prapa dyerve, dritareve e në çelësa; ata duhen lënë të lira dhe të qasshme për duart dhe sytë. Librat janë dekori më i mirë në mure; ata kanë ngjyra dhe dukje më të llojllojshme se çfarëdo fotografie e varur, janë më tërheqëse përnga dizajni, dhe e kanë përparësinë të jenë personalitete të veçanta, sepse nëse ulesh vetëm në dhomë afër dritës së zjarrit, ti je nën shoqërinë e miqëve më të afërt. Kur je i vetëdijshëm si i ke para syve është gjë freskuese dhe simuluese. Nuk ke nevoj t’i lexosh të gjitha. Shumica e jetës sime që e kam kaluar brenda në shtëpi është me gjashtë mijë libra; dhe kam edhe një grumbull pyetjesh për t’iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme që më janë bërë nga njerëz të panjohshëm. “A i ke lexuar të gjitha?”

“Disa prej tyre nga dy herë”. Kjo përgjigje është edhe e vërtetë por edhe e papritur.

Sigurisht se nuk ka shoqëri më të mirë se sa njerëzit e gjallë, frymues, të prekshëm, burra dhe gra; përkushtimi im ndaj leximit nuk më ka bërë njeri të shkëputur nga bota. Si do të mundte? Librat janë të njerëzve, nga njerëzit, dhe për njerëz. Letërsia është pjesa e pavdekshme e historisë; është pjesa më e mirë dhe më e qëndrueshme e personalitetit. Por shok-libri e ka këtë përparësi në raport me njerëz të gjallë; ju mund të shijoni shoqërimin me aristokracinë më të njëmendtë, kurdo që ju të dëshironi. Njerëzit e mëdhenj të së kaluarës nuk mund t’i takojmë fizikisht, dhe ata të gjallit zakonisht edhe janë të paarritshëm; e sa për të afërmit e tonë, as ata nuk mund ti shohim gjithmonë. Ndoshta janë në gjumë, ose në udhëtim. Por në librarinë private, në çdo moment mund të bisedosh me Sokratin, Shkespirin, Dumasin, Dikensin, Shaën, Berin ose Gellsuorthin. Dhe nuk ka asnjë dyshim që në këta libra ti takon vetëm anët më të mira të këtyre njerëzve. Ata shkruan për ty. Ata e jashtësuan veten e tyre, ata bënë më të mirën e mundshme për të ju argëtuar, ose të ju lënë përshtypjet më të mira. Ti ju duhesh atyre siç i duhet edhe aktorit audienca; përveç se shkrimtarët ti nuk i sheh me maska, ti në të vërtetë sheh në thellësitë e zemrave të tyre.

 

William Lyon Phelps – 1933

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore