Lajme

Fituesja e çmimit “Nobel” do të luftojë për mbylljen e faqes “Rappler” në Filipine


Maria Ressa, fituese e çmimit “Nobel”, ka zbuluar se do të sfidojë një urdhër për mbylljen e “Rappler”, faqes së lajmeve në të cilën është bashkëthemeluese.

Ajo është zotuar se media në fjalë nuk do t’u nënshtrohet presioneve dhe frikësimeve.

“Rappler”, që është vlerësuar gjerësisht për shqyrtimin e administratës së presidentit në largim të Filipineve, Rodrigo Duterte, është përballur me akuza dhe hetime të pamëshirshme ligjore.

Sakaq, rasti i fundit lidhet me një pretendim se media ka shkelur kufizimet mbi pronësinë e huaj në media, pretendim që “Rappler” e ka mohuar.

Komisioni i Letrave me Vlerë (SEC), një rregullator biznesi, ka konfirmuar një vendim të mëparshëm për të revokuar certifikatat e inkorporimit të “Rappler”-it për këtë çështje.

Sipas vetë medias, vendimi “ka konfirmuar në mënyrë efektive mbylljen”.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë para se Duterte të largohej dhe pasuesi i tij, Ferdinand Marcos Jr, djali i diktatorit të ndjerë, të marrë detyrën.

Ressa, në një konferencë për shtyp, ka thënë se faqja e lajmeve do ta kundërshtonte vendimin.

“Ne vazhdojmë të punojmë. Puna vazhdon si zakonisht. Ne do të ndjekim procesin ligjor, do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat tona”, ka vijuar ajo.

SEC, përmes një deklarate, ka njoftuar se ka konfirmuar revokimin e certifikatave të inkorporimit të “Rappler”, duke shtuar se media ka shkelur “kufizimet kushtetuese dhe statutore për pronësinë e huaj në media”.

Këtë, kur ka pranuar financim nga Omidyar Network, krahu filantropik i themeluesit të eBay, Pierre Omidyar. Çka i ka dhënë rrjetit “kontrollin mbi organizatën mediatike”.

Rrjeti ka qenë një investitor i heshtur pa kontroll mbi operacionet e përditshme.

Referuar Ressa-s, marrëveshja nuk ka qenë shkelje e kushtetutës, por se media ishte shënjestruar gjatë gjithë presidencës së Dutertes.

“Qëllimi ynë është të vazhdojmë të mbajmë linjën. Ne nuk do të heqim dorë vullnetarisht nga të drejtat tona. Dhe me të vërtetë nuk duhet”, ka thënë ajo.

Ressa përballet me shtatë raste ligjore, duke përfshirë akuzat për evazion fiskal dhe shpifje kibernetike, të cilat janë dënuar gjerësisht nga avokatët e lirisë së medias dhe grupet e të drejtave.

Nën presidencën e Duterte, media është përballur me presion të madh.

Nga ana tjetër, qeveria ka mohuar faktin që çështjet ligjore kundër “Rappler” ose të tjerëve janë të motivuara politikisht.

Po ashtu ka frikë rreth perspektivave për gazetarët nën administrimin e presidentit të ardhshëm, Marcos Jr.

Babai i tij, Marcos Sr, i cili u rrëzua në vitin 1986, ishte i njohur për vendosjen e ligjit ushtarak dhe mbylljen e të gjitha mediave të pavarura.

Marcos Jr është kritikuar gjithashtu për shmangien e kontrollit gjatë fushatës zgjedhore, duke përfshirë anashkalimin e debateve presidenciale dhe shmangien e pyetjeve nga gazetarët që perceptohen si jomiqësore.

Marrë nga “The Guardain”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore