Përballje

Fitore të thella të Belgjikës dhe Holandës, befasojnë Turqia dhe Rusia


Të martën u zhvilluan ndeshjet tjera të kombëtareve, për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Fitore tenistike shënoi Kombëtarja e Belgjikës ndaj Bjellorusisë në grupin E, që la pas zhgënjimin e barazimit 1:1 ndaj Republikës Çeke duke fituar me rezultat 8:0, ku nga katër gola u shënuan në secilën pjesë.

Edhe pse pa një pjesë të madhe të titullarëve, të cilët Roberto Martinez nuk i inkuadroi që nga fillimi, Belgjika dhuroi spektakël në fushë, duke arritur këtë fitore me rezultat tenistik.

Në takimin tjetër të këtij grupi, Uellsi mposhti me rezultat minimal 1:0 Republikën Çeke, ku golin e vetëm në ndeshje e shënoi mesfushori i Manchester United, Daniel James.

Fitore të thellë, në mbrëmjen e së martës, realizoi edhe Holanda, duke mposhtu Gjibraltarin me rezultat 0:7.

Portokallinjtë përfituan nga hapi fals i Turqisë, e cila kryeson aktualisht grupin G, kështu që ngushtuan diferencën në vetëm një pikë.

Në këtë grup, befasia e mbrëmjes ishte Turqia e cila barazoi me rezultat 3:3 përball Letonisë, edhe pse turqit ishin në avantazh prej dy golave.

Kështu Turqia e cila kishte mposhtur skuadrat më të forta në këtë grup në dy ndeshjet e kaluara, (Holandën dhe Norvegjinë) nuk arriti të marrë më shumë se një pikë nga ky takim, kurse Letonia arriti që të marrë pikën e parë pas tre ndeshjeve të luajtura.

Po në të njëjtin grup, Norvegjia shënoi fitore të vështirë kundër Malit të Zi në udhëtim, ku për të siguruar tre pikë shumë të rëndësishme, mjaftoi një gol i sulmuesit të skuadrës gjermane, Leipzig, Alexander Sorloth.

Grupi, H u bë më interesant se kurrë pas fitores 2:1 që Sllovakia arriti ndaj Rusisë me golat e Skriniar dhe Mak, kurse për rusët shënoi Mario Fernandes.

Gjithashtu edhe Kroacia shënoi fitore ndaj Maltës, falë golave që u realizuan në pjesën e dytë nga Perisic, Modric dhe Berkalo.

Në gupin A, Portugalia fitoi me përmbysje ndaj Luxemburgut, me rezultat 1:3.

Portugezët u gjenden në disavantazh pas golit të Rodrigues, pastaj sulmuesi në top formë i Liverpool, Diogo Jota, barazoi shifrat në fundin e pjesës së parë.

Pas gjashtë minutave lojë në pjesën e dytë, Cristiano Ronaldo kaloi në epërsi për herë të parë në këtë takim portugezët, ndërsa për rezultatin përfundimtar, shënoi mesfushori i Sporting Lisbon, Joao Palhinha.

Po në të njëjtin grup, fitore shënoi edhe Serbia, e cila mposhti në udhëtim Azerbajxhanin me rezultat 1:2.

Alexander Mitrovic, në minutën e 16-të kaloi në epërsi mysafirët, ndërsa në pjesën e dytë, vendasit barazuan përmes Makhmudov.

Dhjetë minuta para përfundimit të takimit, ishte përsëri sulmuesi i skuadrës angleze, Fulham, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 1:2, kështu duke siguruar tre pikë shumë të rëndësishme për Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore