Përballje

Fitore të thella për Brazilin dhe Uruguain, gjen suksesin minimal edhe Argjentina


Një tjetër xhiro u zhvillua në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, ku kombëtaret e mëdha nuk lanë vend për surpriza.

Brazili dhe Argjentina edhe pse tashmë të kualifikuara në Katar, morën fitoret e radhës.

Brazili mposhti me rezultat të thellë 4:0 Paraguain, duke blinduar tashmë pozitën e dytë në tabelë me 35 pikë.

Brazil 4 – 0 Paraguai

Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultat 1:0 falë golit të vetëm të shënuar nga Raphinha në minutën e 28-të.

Derisa në pjesën e dytë, kombëtarja ‘Selecao’ shënoi edhe tri herë me anë të Philippe Coutinho-s në minutën e 62-të, Antony në të 86-tën dhe katër minutë më vonë, Rodrygo vendosi rezultatin përfundimtar 4:0.

Në anën tjetër, kombëtarja e  Argjentinës mori fitore minimale 1:0 në shtëpi ndaj Kolumbisë.

Argjentina 1 – 0 Kolumbia

Goli i vetëm në këtë fitore të kombëtares ‘Albicelste’ u shënua në minutën e 23-të me anë të sulmuesit të Inter-it, Lautaro Martinez.

Ndërkohë, fitore shumë të rëndësishme mori Uruguai, të cilët mposhtën në shtëpi kombëtaren e Venezuelës, me rezultat të thellë 4:1.

Uruguaianët treguan dhëmbët që në start të ndeshjes, ku mesfushori i Juventus-it, Rodrigo Bentancur, kaloi ata në epërsi që në minutën e parë.

Uruguai 4 – 1 Venezuela

Në pjesën e parë, Uruguai shënoi edhe dy herë të tjera, ku në minutën e 23-të, Giorgian De Arrascaeta dyfishoi epërsinë, ndërsa në fund të pjesës së parë, Edinson Cavani shënoi për 3:0.

Në pjesën e dytë, edhe Luis Suarez gjeti golin nga penalltia në minutën e 53-të, ndërsa vendasit realizuan në minutën e 65-të me anë të Josef Martinez, për rezultatin përfundimtar 4:1.

Me këtë sukses, Uruguai ngjitet në pozitën e katërt (pozitë që e kualifikon në Kupën e Botës), me 22 pikë, një më shumë se Peru e vendi të pestë.

Peru 1 – 1 Ekuador

Ndërsa, Peru në ndeshjen tjetër mori një barazim me rezultat 1:1, përballë Ekuadorit të vendit të tretë.

Michael Estrada realizoi golin për Ekuadorin në minutën e dytë të ndeshjes, ndërsa për peruanët barazoi Edison Flores në minutën e 69-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore