Përballje

Fitore e “çmendur” e Atletico Madrid-it, Tottenham mposht pastër Marseille-n


Atletico Madrid ka shënuar një fitore spektakolare në momentet e fundit të ndeshjes ndaj Porto-s, takim ky i ndeshjes së parë të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Asnjë gol nuk u shënua deri në minutën e dytë të lojës shtesë, kur ekipi i Diego Simeone-s kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Mario Hermoso.

Katër minuta më vonë, Porto (që ishte duke luajtur me një futbollist më pak) barazoi rezultatin me golin e shënuar nga Mateus Uribe, i cili u tregua i saktë nga penalltia.

Por, spektakli nuk kishte mbaruar. Në minutën e 11-të shtesë, Antoine Griezmann “çmendi” të gjithë tifozët në “Wanda Metropolitana” duke shënuar golin e fitores, pas një goditje nga këndi.

Fitore të rëndësishme në mbrëmjen e sotme mori edhe Tottenham-i përballë skuadrës Marseille.

Ekipi i Antoni Conte-s e mori këtë sukses falë dy golave të shënuara nga blerja e kësaj vere, braziliani Richarlison.

Të parin e realizoi në minutën e 76-të pas një asistimi të marrë nga Ivan Perisic, ndërsa të dytin e shënoi pesë minuta më vonë, duke u asistuar nga Pierre-Emile Hojbjerg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore