Shqipëria

Firmosi dekretin për lirimin e Begajt, Meta: Bëra detyrën time


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi se bëri detyrën e tij kur liroi nga detyra ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bajram Begaj.

“Më duket një debat tërësisht absurd, megjithatë jemi në demokraci dhe çdo akt mund të kontestohet, por besoj se kam kryer detyrën time, që më takonte, në mënyrë që të mos pengoja parlamentin të ushtronte të drejtën e tij, raundin e katërt”, theksoi fillimisht kreu i shtetit.

Meta shtoi se kishte një kërkesë zyrtare nga qeveria dhe vetë kandidati, i cili kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e shefit të Shtabit të FA-ve – kishte kërkuar të lirohej.

“Pa dyshim që unë nuk kisha asnjë arsye që të mos i krijoja këtë mundësi”, nënvizoi presidenti.

Kreu i shtetit sqaroi se për dekretin e Begajt nuk ka patur komunikim me kryeministrin, por me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Dekreti, sipas tij, u hartua në Tiranë dhe u firmosu në Stamboll.

Meta zbuloi gjithashtu se nuk ka patur komunikim me Berishën por me Tritan Shehu nga opozita.

Presidenti firmosi më 4 qershor dekretin për lirimin nga detyra të Bajram Begajt si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura.

Më herët, ishte zëdhënësi i tij Tedi Blushi, përmes një postimi në median sociale Facebook i cili tha se “Presidenti i Republikës, Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore