Aplikacione

Firma teknologjike e Trump-it mbledh 1 miliard dollarë


Firma e re e mediave sociale e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se ka mbledhur një miliard dollarë nga investitorët përpara një listimi të planifikuar në bursë.

E quajtur Trump Media & Technology Group, firma po punon për të prezantuar një aplikacion të mediave sociale të quajtur Truth Social në fillim të vitit të ardhshëm.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se lëvizja ka ardhur pasi Trump-it i është ndaluar qasja në platformat Twitter dhe Facebook pas sulmit të gjshtë janarit në Capitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Një miliard dollarëshi i dërgon një mesazh të rëndësishëm Big Tech-ut se censura dhe diskriminimi politik duhet të marrin fund”, ka thënë firma.

“Me zgjerimin e bilancit tonë, Trump Media & Technology Group do të jetë në një pozicion më të fortë për të luftuar kundër tiranisë së Big Tech-ut”, ka shtuar.

Planet për të nisur Truth Social nisën në fillim të këtij viti, duke vënë në dukje se media e re do të lejonte biseda “pa diskriminim në bazë të ideologjisë politike”.

Ish-presidenti Trump u ndalua nga platformat kryesore të mediave sociale pas sulmit mes shqetësimeve se presidenti i atëhershëm do të nxiste dhunë të mëtejshme.

Sulmi i janarit erdhi pasi Trump-i bëri pretendime, pa prova, për mashtrim të gjerë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Në kohën kur u bllokua nga mediat sociale, ai kishte 89 milionë ndjekës në Twitter, 33 milionë në Facebook dhe 24.5 milionë në Instagram.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore