Sport

Fiorentina tërhiqet për Bajramin, pritet që Sassuolo të hyjë në garë


Flitej që destinacioni i ardhshëm i Nedim Bajramit do të jetë Fiorentina. Megjithatë, siç raportojnë mediat italiane, klubi viola do të tërhiqet nga gara për transferimin e mesfushorit kuqezi.

Arsyeja pse është pezulluar kjo pistë në këto orët e fundit të afatit kalimtar veror, lidhet me idetë e trajnerit Vincenzo Italiano, i cili preferon që të luajë me modulin 4-3-3.

Në këtë sistem futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë nuk e gjen vetën plotësisht, pasi do i duhet të luajë si “gjysmë-mesfushor”.

Bajrami bën më mirë në rolin e “trekuartistit” (pas sulmuesve), që me skemën e Italiano-s del jashtë loje.

Në këtë mënyrë, Fiorentina pritet t’i hap rrugë klubit të Sassuolo-s, që gjithashtu kanë shprehur interesim për Bajramin.

Trajneri i tyre, Alessio Dionisi, e njeh mirë 23-vjeçarin shqiptar, pasi për gati një vit e ka pasur nën urdhra kur ka drejtuar skuadrën e Empoli-t.

Bajrami vlerësohet nga klubi italian 10 milionë euro, por deri më tani asnjë klub nuk e ka dorëzuar një ofertë zyrtare për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore