Sport

Fiorentina mund të jetë klubi i ardhshëm i Bajramit


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami, mund të transferohet te Fiorentina gjatë këtij afati kalimtar veror.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, agjenti i mirënjohur i Bajramit, Fali Ramadani, ka qenë në Firence, për të diskutuar për shitjen e mundshme të mesfushorit të Empoli-t.

Kartoni i Bajramit vlerësohet rreth 15 milionë euro dhe trajneri i Fiorentina-s, Vincenzo Italiano, e konsideron të dobishëm për formacionin e tij titullar.

Pritet që së shpejti të nisin negociatat mes dy klubeve dhe nëse realizohet kjo lëvizje, atëherë do të jetë një hap i madh në karrierën e mesfushorit shqiptar.

Bajrami shkëlqeu gjatë edicionit të kaluar në fanellën e Empoli-t, i cili në 38 ndeshje në ligë dhe në kupë, shënoi nëntë gola dhe dhuroi shtatë asistime.

Kujtojmë që Bajrami është pjesë e Empoli-t që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga skuadra zvicerane, Grasshopper, për shumën e 500 mijë eurove.

Ai ka kontratë të lidhur me klubin italian deri në verën e vitit 2024, por duke parë interesimin e klubeve të ndryshme për të, me shumë mundësi gjatë verës do të largohet nga Empoli.

Kujtojmë që përveç Bajramit, tek Empoli sivjet shkëlqeu edhe mesfushori tjetër kuqezi, Kristjan Asllani, i cili në sezonin e ardhshëm do të luajë me fanellën e Inter-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore