Sport

Fiorentina, gjysmëfinalistja e dytë e Kupës së Italisë


Skuadra e Fiorentina-s është gjysmëfinalistja e dytë e Kupës së Italisë pas Inter-it, që u kualifikua në këtë raund të martën. Violat mundën 2-1 Torino-n në shtëpi, për të marrë biletën për raundin tjetër të kupës.

Sfida e luajtur në “Artemio Franchi” ishte e luftuar nga të dyja skuadrat. Pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura. Ndërsa, në pjesën e dytë, sidomos në fraksionin e dytë të kësaj pjese, sfida ishte më e “zjarrtë”, ku u shënuan dhe golat.

Goli i parë i takimit u shënua nga sulmuesi serb i Fiorentina-s, Luka Jovic në minutën e 65. Po vendasit do të realizonin dhe golin e dytë, në minutën e 90 me francezin, Jonathan Ikone.

Miqtë do të rezlionin një gol të vonë në minutën e tretë shtesë me Yann Karamoh. Francezi ishte bërë pjesë e lojës në minutën e 76 pasi kishte zëvendësuar mbrojtësin dardan, Mergim Vojvoda.

Në mbrëmje, duke filluar nga ora 21:00, Roma do të përballet me Cremonese-n për një biletë për në raundin gjysmëfinal.

Të enjten do të jetë përballja e fundit çerekfinale në Kupën e Italisë ku Lazio pret Juventus-in në kryeqytet. Takimi do të fillojë nga ora 21:00.

Në gjysmëfinale, fituesi i çiftit Roma – Cremonese përballet me Fiorentina-n. Ndërsa, Inter pret të mësoj kundërshtarin nga ndeshja mes Lazio-s dhe Juventus-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore