Sport

Fiorentina e transferon falas futbollistin që Real-it i kushtoi 63 milionë euro


Sulmuesi serb, Luka Jovic, i kushtoi Real Madrid-it 63 milionë euro, të cilin e transferuan nga Eintracht Frankfurt-i në verën e vitit 2019.

Megjithatë, ai asnjëherë nuk arriti t’i tregojë vlerat e tij në klubin spanjoll, i cili tani do të transferohet si futbollist i lirë.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Spanjë, Jovic do të firmosë gjatë kësaj jave me klubin e Fiorentina-s, të cilët nuk do të paguajnë asnjë cent për shërbimet e tij.

Por, në marrëveshjen e transferimit, thuhet se Real-i do të përfitojë 50 për qind të shumës, nëse Jovic blihet nga ndonjë klub tjetër në të ardhmen.

Kështu, kontrata e serbit me Real-in që ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2025, do të marrë fund gjatë orëve në vazhdim.

Kujtojmë që kontributi i serbit me fanellën e Real-it ishte vetëm tre gola dhe pesë asistime në 46 ndeshje në të gjitha garat.

Përveç saj, ai u huazua te Frankfurti nga janari deri në qershor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore