Lajme

Finlanda i mbyll dyert Kinës për bazën ajrore


Kemijärvi, qyteti verior finlandez, pjesë e Laponisë, ka refuzuar një ofertë të bërë nga Kina në janar 2018, për të blerë ose marrë me qera bazën ajrore të qytetit, për të qenë më pranë Institutit të Kërkimit Polar, të financuar nga Pekini zyrtar.

Mësohet se vendimi është marrë kohë më parë, por po bëhet publik vetëm tani.

Këtë raportim e kanë kryer të deleguar kinezë nga instituti kërkimor dhe përfaqësues të Administrimit të Arktikut dhe Antarktidës.

Kina dëshironte të financonte një pistë të re fluturimi. Projekti do të kushtonte rreth 40 milionë euro. Me anë të kësaj shume, do të arrihej të ndërtohej edhe një aeroport i ri për skajin verior të qytezës.

Mundësia ishte që të krijohej edhe një qendër monitorimesh për fluturimet mbi arktik. Poli i Veriut dhe një pasazh tjetër në verilindje do të përfshiheshin gjithashtu.

Përtej këtyre investimeve, mundësia ishte lënë e hapur për një laborator të ri kërkimor ose rikonstruktimit e atij ekzistent. Të gjitha, me shpenzimet e shtetit Kinez.

Lajmi për refuzimin e kërkesës erdhi si habi për institucione finlandeze. Kryesisht, për Universitetin e Lapland dhe Qëndrën Arktike. Bashkëpunime të mëparshme me hulumtuesit kinezë kishin qenë të mirëpritura.

Sipas disa burimeve pranë Ushtrisë së Finlandës, aeroporti i projektuar ndodhej shumë pranë një pike strategjike për ta. Zgjerimi i zonës për një aeroport do të ishte i pamundur.

Një arsye tjetër, është ajo e legjislacionit evropian të tetorit 2020. Për shkak të një ligji të firmosur, investimet e huaja brenda BE-së janë të limituara.

Kina aktualisht, ka qendra kërkimore në disa zona veriore evropiane. Një prej tyre ndodhet në rajonin arktik të Groenlandës, pjesë e Danimarkës. Një tjetër ndodhet në Islandë. E treta ndërkohë, në arkipelagun Svalbard.

Por, me vendimin e fundit, Kina nuk do të ketë mundësi të zgjerojë aktivitetit polar në Finlandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore