Lajme

Finlanda dhe Suedia në dilemë për sigurinë përpara vendimeve të NATO-s


Avioni ushtarak rus që hyri në hapësirën ajrore të Suedisë për një kohë të shkurtër është interpretuar si një paralajmërim për vendin teksa realizonte bisedime për bashkimin me NATO-n bashkë me Finlandën.

Rusia ka paralajmëruar vazhdimisht për “pasoja serioze ushtarake dhe politike që do të kërkonin një përgjigje adekuate” nëse dy vendet nordike aplikojnë për anëtarësim në NATO.

Me anëtarësimin, Suedia dhe Finlanda do të mbuloheshin nga angazhimi i nenit 5 i mbrojtjes kolektive që siguron se një sulm ndaj një anëtari gjeneron përgjigje nga e gjithë aleanca.

Çka i shqetëson më shumë dy vendet është periudha para se të bëhen anëtare zyrtarë, kur një garanci e tillë nuk zbatohet.

Vëmendja në Finlandë është përqendruar në atë se si NATO-ja dhe 30 shtetet anëtare mund ta ndihmojnë atë gjatë një periudhe të pambrojtur që zgjat me muaj apo edhe më shumë.

“Aderimi në NATO do të ishte një provokim i madh”, ka paralajmëruar një diplomat evropian.

Finlandezët dhe suedezët janë të përgatitur për çdo sulm hibrid dhe kibernetik nga Rusia, megjithëse pakkush mendon se ka të ngjarë konfrontimi ushtarak.

“Të gjithë e kuptojnë se garancitë e Nenit 5 nuk janë në tryezë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të përmirësojmë sigurinë rajonale në mënyra të tjera”, ka thënë Henri Vanhanen, këshilltar për politikën e jashtme.

“Mund të ketë deklarata politike, shkëmbim informacioni, rritje të bashkëpunimit të mbrojtjes si ushtrime në Detin Baltik”, ka renditur ai.

Sakaq, zyrtarët finlandezë janë të befasuar që nuk kanë përjetuar më shumë ligësi ruse, duke qenë se Moska do të vepronte shpejt për të pasur një shans për të ndaluar finlandezët nga një aplikim në NATO.

Presidenti finlandez Sauli Niinistö ka premtuar një njoftim deri më 12 maj, me pritjet në Helsinki që aplikimi do të ndiqet shpejt.

Si përgjigje, Rusia ka kërcënuar se do të zhvendosë armët bërthamore në enklavën e saj Baltike të Kaliningrad-it, megjithëse Lituania ka thënë se Moska mund ta ketë bërë këtë në vitin 2018.

Eksperti Robert Nurick është i mendimit se ndihma e mundshme e sigurisë për Suedinë dhe Finlandën është një temë “në mendjen e zyrtarëve të qeverisë amerikane dhe komunitetit të politikave”.

“Një nga gjërat kryesore është çka duan Suedia dhe Finlanda. Çka ata mendojnë se kanë nevojë, çka ata mendojnë se do të jetë e dobishme pa ndërlikuar debatet e tyre të brendshme”, ka vijuar ai.

Po ashtu ka shtuar se mund të jetë një “akt balancues”, duke pasur parasysh kushtet e Rusisë.

Sipas zyrtarëve finlandezë, kërkohet shmangia e përshtypjeve se po e ndëshkojnë Rusinë.

Në vend të kësaj, kanë këmbëngulur se qëllimi i tyre është të rrisin sigurinë, duke u bashkuar me organizatën e mbrojtjes së perëndimit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore