Shqipëria

Financim shtesë për universitetet publike për ndërkombëtarizimin dhe programet prioritare, thotë Kushi


Këshilli i Ministrave, këtë 22 qershor, miratoi disa ndryshime në modelin e financimit të buxhetit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Për ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, këto ndryshime kanë për qëllim që të reflektojnë në formulën e financimit politikat e reja që janë ndërmarrë në fushën e Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Ndër to, ndërkombëtarizimi i universiteteve për programe studimi të përbashkëta dhe shpallja e programeve prioritare për zhvillimin e vendit.

Sipas saj, formula e ndryshuar e financimit do të ketë disa elemente shtesë.

Kështu, të gjitha universitetet që kanë programe prioritare, programe të përbashkëta, apo të  dyfishta me universitetet e huaja, do të përfitojnë financim shtesë bazuar në numrin e studentëve që janë të regjistruar në këto programe.

Ky model financimi është konsultuar edhe me modelet më të mira të Bashkimit Evropian dhe është përshtatur me kushtet e Shqipërisë, me ligjin në fuqi të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ministrja Kushi ka thënë se ky është një model që nxit konkurrencën e lirë midis universiteteve që kanë të njëjtin status, ofron mundësi të barabarta në varësi të statusit që kanë universitetet dhe nxit performancën e universiteteve.

Këto, për sa i takon mësimdhënies, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese, bazuar në treguesit e cilësisë.

Pas miratimit të vendimit, ministrja ka thënë se do të shpallet një thirrje për të gjitha universitetet publike që të aplikojnë me projekte për financim shtesë.

Po ashtu ka shtuar se të gjitha ato universitete që janë të përfshira në procesin e ndërkombëtarizimit dhe që kanë nevojë për infrastrukturë shtesë, mund të aplikojnë në këtë thirrje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore