Sport

Finalja e Kupës së Italisë, Juventus-i kërkon të shpëtojë sezonin


Ditën e mërkurë në “Mapei Stadium” të Sassuolo-s do të mbahet finalja e Kupës së Italisë për edicionin 2020/21. Në finale do të përballet Atalanta e Gian Piero Gasperini-t me Juventus-in e Andrea Pirlo-s. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 21:00 dhe do të ketë mbi 4 mijë tifoza të pranishëm.

Të dy ekipet do të luajnë shanset e tyre për të fituar Kupën e Italisë. Atalanta vjen nga një sezon pozitiv, ndërsa Juventus-i ka zhvilluar një sezon me ulje-ngritje dhe Kupa mund të jetë “shpëtimi” i sezonit.

Atalanta tashmë e ka të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për vitin e ardhshëm, ndërsa bardhezinjtë renditen në vendin e pestë dhe rrezikojnë të mbeten jashtë këtij kompeticioni.

Skuadra nga Bergamo arriti në finalen e Kupës pasi në gjysmëfinale mundi Napoli-n me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Juventus-i mbërriti në finale pasi eleminoi më herët Inter-in, me rezultatin e përgjithshëm 2-1.

Cristiano Ronaldo i Juventus-it dhe Aleksei Miranchuk i Atalanta-s janë dy lojtarët nga skuadrat respektive që kanë shënuar më shumë në Kupë këtë sezon, nga dy gola.

Gasperini pritet të luajë me skemën: 3-4-1-2: Gollini, Djimsiti – Romero – Toloi, Gosens – Freuler – De Roon – Haterboer, Malinovskyi, Zapata – Muriel.

Pirlo pritet ta rreshtojë ekipin me skemën 4-4-2: Buffon, Danilo – Chiellini – De Ligt – Cuadrado, Chiesa – Rabiot – Bentancur – McKennie, Ronaldo – Dybala.

Juventus-i ka shkuar 18 herë në finalen e Kupës së Italisë, nga ku 13 herë ia ka dalë të ngrejë trofeun. Atalanta ka shkuar tre herë në finale dhe një herë ia ka dalë të ngrejë trofeun. Viti 2018 ishte viti i fundit kur bardhezinjtë ngrinin trofeun, ndërsa Atalanta vitin e parë dhe të fundit që ka fituar trofeun ka qenë në 1963.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore