Sport

Finalja e Conference League në “Air Albania”, UEFA trajnon Policinë e Shtetit në lidhje me sigurinë


Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n vijon përgatitjet për organizimin e finales së madhe të UEFA Conference League, që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë.

Në kuadër të pritjes së këtij eventi madhor po organizohen edhe disa trajnime, që kanë në fokus sigurinë në stadiume dhe përgatitjes së autoriteteve ligjzbatuese për aktivitete të këtyre përmasave.

Prej dy ditësh po zhvillohet në Tiranë trajnimi me temë “Police training – Safety & Security”.

Në të marrin pjesë ekspertë të UEFA-s, ekspertë të FSHF-së, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në DPPSH, Rebani Jaupi, drejtuesit e Policisë së Tiranës, Policisë Rrugore, dhe drejtorive të ndryshme, që do të jenë të angazhuara në mbarëvajtjen e finales së UECL në Tiranë.

Në nisje të trajnimit ishte i pranishëm edhe Drejtuesi i Sektorit të Sigurisë në UEFA, Giovanni Spitaleri.

Në fjalimin e tij, ai u përcolli pjesëmarrësve edhe përshëndetjet e Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin.

Ky trajnim, që këtë herë është i fokusuar vetëm për policinë, është në vijim edhe të dy trajnimeve të tjera të zhvilluara në muajt shkurt dhe mars.

Trajnime këto për sigurinë dhe shërbimin me pjesëmarrës nga disa institucione që kanë detyrime në këtë drejtim.

Trajnimi udhëhiqet nga lektorë të UEFA-s dhe përfaqësuesi i Rrjetit Policor për Shkëmbimin e Informacionit për Ndeshjet e Futbollit NFIP, Adrian Dinca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore