Sport

Finalja e Champions bashkon Perez dhe Ceferin, mëritë “lihen mënjanë”


Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe ai i Real Madrid-it, Florentino Perez janë takuar së bashku mbrëmjen e të premtes.

Në zemër të muzeut të Luvrit, në “Les Salles du Carrousel”, u zhvillua darka para finales së Champions League mes Real Madrid-it dhe Liverpool-it, e cila do të luhet në “Stade de France”.

Aty u takuan dhe dy liderët. Pavarësisht tensionit që ka ekzistuar mes të dyve për projektin e Superligës gjatë 12 muajve të fundit, përfshirë ankesat në gjykata, takimi mes Perez-it dhe Ceferin-it ishte më shumë se paqësor.

Madje, gjatë darkës ata kanë shmangur fjalët rreth Superligës, që Perez së bashku me Joan Laporta-n e Barcelona-s dhe Andrea Agnelli-n e Juventus-it synuan të krijonin disa muaj më parë.

Në fund, të dy kanë pozuar për fotografinë zyrtare që UEFA ka bërë publike përmes mediave të saj sociale. Dhe Perez-i i dhuroi Ceferin-it një riprodhim të “Santiago Bernabeu”-t të ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore