Lajme

Filozofi serb: S’pres nënshkrim të marrëveshjes deri në fund të vitit, asnjë politikan serb nuk e nënshkruan


Profesori i Filozofisë në Universitetin e Beogradit, Jovo Bakiç, në një intervistë për median opozitare serbe Nova, ka thënë se nuk pret ndonjë nënshkrim të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit, sepse sipas tij “patronët perandorak” (i referohet vendeve të fuqishme Perëndimore) e dinë se asnjë politikanë në Serbi nuk mund ta nënshkruaj atë.

“Nuk pres që të nënshkruhet një marrëveshje. Patronët perandorakë e dinë se asnjë politikan në Serbi nuk mund ta nënshkruajë atë. Prandaj ata do të kërkojnë që marrëveshja të zbatohet (për këtë është aneksi i marrëveshjes së miratuar pak ditë më parë), dhe jo të dëgjojnë të ankohen dhe të qajnë, por të zbatojnë gjithçka pa kundërshtime”, tha Bakiç.

Ndërkaq, filozofi serb mos nënshkrimi formal i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në takimin e Brukselit me 27 shkurt dhe në atë të Ohrit me 18 mars nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, konsideron se është në funksion të konsumit të brendshëm politik në Serbi.

“Ai në të vërtetë nuk nënshkroi asgjë. Aty erdhën për ta takuar zotërinjtë perandorak, sepse është në interesin e tyre që qytetarët në Serbi të konsiderojnë se fakti që nuk është nënshkruar asgjë do të thotë se asgjë nga marrëveshja nuk do të zbatohet”, shtoi ai.

Tutje, ai theksoi se qytetarët serbë e kanë kujtesën e mirë dhe e dinë situatën reale në Kosovë dhe ndikimin që Serbia e ka atje dhe në cilat institucione përfaqësohen serbët në Kosovë.

“A ka vendkalime kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, kush e kontrollon Ujmanin, targat e cilit shtet do të jenë në veturat në Kosovë, cilit shtet i përkasin dhe të kujt Parlamenti deputetët e Listës Serbe i betohen për besnikëri?”, potencoi ai.

Po ashtu, Bakiç nënvizoi se “hipokrizia, poshtërsia, mizoria dhe marrëzia janë shenjat dalluese të këtij regjimi dhe votuesit duhet të pyesin veten se deri në çfarë mase këto karakteristika janë të pranueshme dhe të zbatueshme për ta”.

Gjithashtu, ai vlerëson se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duke u përpjekur për të bashkëpunuar me ndërkombëtarët për çështjen e problemit me Kosovën dhe duke sjell disa investime në Serbi “do të ‘blejë’ të paktën edhe dhjetë vite të tjera sundimi autoritar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”.

“Në bazë të përvojës së kaluar, mund të supozohet se shpresat e tij nuk janë të pabaza”, shtoi Bakiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore