Film

Filmat për fëmijë të regjisores Xhanfise Keko po shfaqen në kinematë spanjolle


Nëpër botë, rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko, vijon.

Ngjashëm edhe nderimi për individualitetin dhe personalitetin artistik të saj.

Filmat e regjisores për fëmijë po shfaqen në kinematë spanjolle.

Kinemaja në Spanjë ofron për shikuesit katër nga filmat e saj më të famshëm: “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”.

Sakaq, regjisorja shqiptare bashkë me filmat e saj ndodhet mes emrave të shquar si Jean Vigo, François Truffaut apo Abbas Kiarostami.

Spanjollët, nga ana tjetër, e konsiderojnë si një autore të jashtëzakonshme të njëmbëdhjetë filmave artistikë të realizuar nga viti 1972 deri në vitin 1984 në Shqipëri.

Në to trajtohen sfidat, zhgënjimet dhe aspiratat e fëmijërisë.

Keko, me një ndjeshmëri të pazakontë, portretizon botën dhe vizionin e fëmijës, duke vendosur dëshirat dhe psikologjinë në qendër.

Çka nënkupton të kuptuarit e fëmijërisë jo si një fazë tranzicioni drejt një moshe tjetër, por si një periudhë më vete, duke respektuar autonominë e djemve dhe vajzave të përcaktuara nga filozofi i pedagogjisë René Schérer.

Si regjisore, pas një përvoje dhe eksperience gati 20-vjeçare realizoi filmin e saj të parë, me metrazh të gjatë për fëmijë.

Në vitin 1971 nisi xhirimet e filmit “Kryengritje në pallat” që do t’i prezantohej publikut në vitin 1972. Më tej do të vazhdonin filma të tjerë si “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë”, film i cili do të vlerësohet me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar.

Pastaj  “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër”.

Filma, që do ta bënin të njohur dhe të dashur, si për publikun e vogël, por edhe për atë të rritur.

Me këto filma, Keko përfaqësoi Shqipërinë në festivale të ndryshme ndërkombëtare ku u vlerësua me çmime e tituj, si në “Giffoni Film Festival” në Itali, në Festivalin e Filmit në Beograd apo Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane.

Por edhe në atdhe Keko do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë.

U vlerësua me “Çmimin e Madh të Republikës”, në vitin 1979. Po në të njëjtin vit ju dha titulli “Artiste e Merituar”, ndërsa pesë vjet më vonë edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore