Lajme

Fillon verifikimi i fletëvotimeve nga diaspora


Shërbimi Votues i KQZ-së ka filluar procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga jashtë Kosovës, ku me përfundim të këtij procesi do të dihet se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u proceduar me futjen e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Këto rezultate janë përpunuar në vendvotime nga anëtarët e Këshillave të Vendvotimit në ditën e zgjedhjeve pas numërimit të fletëvotimeve.

“Nga 2 mijë e 382 vendvotime, deri më tani janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për rreth 1 056 vendvotime (44.33%) si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për rreth 841 vendvotime (35.11%)”, ka thënë Elezi.

Pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, ka vënë në pah se nga 2 mijë e 382 vendvotime, një numër i vogël i tyre, vetëm rreth 80 sosh, nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për arsye të ndryshme.

Sipas Elezit, këto arsye përfshijnë “mospërputhje të nënshkrimeve, apo formularë të rezultateve të panënshkruara nga Anëtarët e Këshillit të Vendvotimit”.

Këto vendvotime, thotë Elezi, do të shikohen më në detaje për problemet që kanë dhe në bazë të të gjeturave do të përgatitet një raport me rekomandime i cili do të paraqitet në KQZ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore