Shqipëria

Manastirliu: Fillon vaksinimi në Shkodër


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë vizituar pavionin Covid të spitalit të Shkodrës, i cili u hap zyrtarisht më 16 shkurt, për shkak të rritjes së kuotave të infektimeve javët e fundit.

Procesi i vaksinimit do të vijojë me mjekët sërish. Ndërkohë shtresat vulnerabël, do të vaksinohen në një çast të dytë.

“Shkodra do ta fillojë me 150 vaksinime në ditë”, deklaroi Manastirliu. “Ndërkohë në Tiranë, do të vijojmë fillimisht me 300 vaksinime, për të shkuar më pas deri në 500 vaksinime ditore”.

Ministrja bëri me dije se vaksinimi do të shtrihet në gjithë Shqipërinë me ritme të shpejta.

15 shkurti shënoi ardhjen e mbi 7 mijë e 20 dozave të partisë së dytë të vaksinave nga Pfizer. Me ardhjen e tyre, do të vazhdojë procesi i vaksinimit në Shqipëri.

Përtej Tiranës, qytetit më të prekur, do të ketë vaksinim fillimisht në Shkodër për pjesën veriore të vendit. Durrësi dhe Elbasani ndërkohë, do të vaksionohen në Tiranë, duke parë distancën e afërt midis qyteteve.

Qytetet e tjera ku pritet të hapen pavione Covid, janë Vlora dhe Korça.

Situata e vaksinimit dhe Covid-19 në Shqipëri

Përsa i përket vaksinave, dozat nga Pfizer-i që pritet të vijnë gjatë marsit, janë mbi 30 mijë. Priten gjithashtu edhe 141 mijë doza nga AstraZeneca.

Shqipëria e nisi vaksinimin ndaj Covid-19, javën e dytë të janarit, kur mbërritën 900 doza dhuratë nga një shtet tjetër. Kryeministri ishte i pari i cili u vaksinua me dozën e Pfizer-it, për të vazhduar më pas me stafin mjekësor.

Për shkak të vonesave të krijuara edhe në vende të tjera evropiane, dozat e parashikuara për të mbërritur në javën e tretë të janarit, mbërritën gjatë shkurtit.

Kjo solli një rishpërndarje të parashikimeve për procesin e vaksinimit në Shqipëri.

Përsa i përket gjendjes së Covid-19, Shqipëria po has vështirësi për shkak të shifrave të shtuara gjatë shkurtit. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë paraqesin shifrat më të larta që prej fillimit të pandemisë, gjatë javës së dytë të janarit 2020 dhe shkurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore