Shqipëria

Vaksinimi masiv, deri pranverën e ardhshme do të vaksinohen të gjithë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, inspektuan çadrat e vendosura në Sheshin Skënderbej. Në këto çadra po kryhet vaksinimi masiv i të moshuarve me vaksinën kineze, Sinovax.

Në një prononcim për mediat Rama u shpreh optimist për procesin e vaksinimit. Kreu i qeverisë ritheksoi se gjysmë milioni shqiptarë do të vaksinohen brenda majit.

“Brenda majit, gjysmë milioni shqiptarë të vaksinuar. Kam bindjen e plotë se do të ecim shumë shpejt. Kemi siguruar sasi të konsideruershme. Besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhet zinxhirit të infektimeve”.

Rama shprehu me bindje që që deri në pranverën e ardhshme do të jetë vaksinuar e gjithë popullsia.

“Mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jenë vaksinuar të gjithë. Por ministrja s’më lë ta them, por unë mendoj se do të vaksinohen më parë. Do të ketë vaksinime në katër turne, dhe njerëzit janë të lirë të zgjedhin nëse do të vaksinohen. Për ata që vijnë në Shqipëri nuk do u kërkohet që të kenë bërë vaksinën”,deklaroi kreu i qeverisë.

Të dielën e 28 marsit, filloi në sheshin Skënderbej, procesi i vaksinimit masiv me vaksinën kineze Sinovax. Vaksinimi masiv  filloi me të moshuarit mbi 70 vjeç. Të moshuarit janë lajmëruar nga qendrat shëndetësore sipas rendit alfabetik.

Rikujtojmë se në sheshin Skënderbej mbrëmjen e 27 marsit filluan përgatitjet për ngritjen e tendave që do të shërbejnë si qendra vaksinimi.  Procesin e ndoqi nga afër Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ajo njoftoi nga Sheshi Skënderbej se, do të jenë “10 mijë vaksinime” që do të kryhen brenda ditës, gjatë procesit të vaksinimit masiv. Manastriliu pohoi se “synohet” të kryhen dhe 12 mijë vaksinime.

Sipas ministres, nga 28 marsi “do të jenë 800-900 të moshuar, që do të vaksinohen në Tiranë”.

Ndër të tjera, Manastirliu shpjegoi se procesi i vaksinimit do të monitorohet nga mjeku i familjes. Mjekët e familjes do të bëjnë dhe lajmërimin e qytetarëve që do të vaksinohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore