Lajme

Fillon rinumërimi i 23 vendvotimeve


Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, e cila ka vërejtur se gjatë pranimit të materialit zgjedhor të 23 vendvotimeve ka pasur parregullsi ka marrë vendim për të rinumëruar ato.

Sipas vendimit të KQZ-së, 8 vendvotime që do të rinumërohen u takojnë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe u takojnë këtyre komunave, Kaçanik 1 vendvotim, Klinë 1 vendvotim, Mitrovicë e Jugut 1 vendvotim, Podujevë 1 vendvotim, Prishtinë 2 vendvotime, Prizren 1 vendvotim dhe Skënderaj 1 vendvotim.

Ndërsa 15 vendvotimet e tjera që do të rinumërohen u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale dhe u takojnë këtyre komunave, Mitrovicë e Jugut 1 vendvotim, Novobërdë 1 vendvotim, Podujevë 1 vendvotim, Prishtinë 4 vendvotime, Prizren 4 vendvotime, Skënderaj 3 vendvotime dhe Ferizaj 1 vendvotim.

“Në disa prej këtyre vendvotimeve formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuara ose pjesërisht të plotësuara dhe në disa raste mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, prandaj duhet të bëhet rinumërimi në mënyrë që të saktësohet gjendja brenda kutive të votimit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit, nga gjithsejtë 38 komuna, 17 komuna kanë shënuar fitore të partive ndërsa 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore në asnjë komunë në raundin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore