Zgjedhjet në Kosovë

Fillon numërimi i 9 mijë e 313 votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta


Numërimi i votave me kusht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve..

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilat u takojnë rundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që u mbajt të dielën, më 14 nëntor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar se gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10 mijë e 303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990. Arsyet e refuzimit mund të kategorizohen në 3 grupe: Votuesi me kusht ka votuar më shumë se një herë; votuesi me kusht nuk është në listën e votuesve; dhe votuesi me kusht nuk është nga komuna në të cilën ka votuar”, deklaroi Elezi.

Ai tutje ka bërë të ditur se në vazhdim do të numërohen 9 mijë e 313 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe votave nga jashtë Kosovës”, ka theksuar Elezi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Valmir Elezi.

Sipas tij, KQZ-ja është duke u angazhuar që të përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, pasi ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale.

“Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të një procesi zgjedhor, kjo bëhet nga KQZ-ja pasi të bëhet numërimi i votave nga jashtë Kosovës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht; si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur”.

“Pas përmbylljes së këtyre proceseve të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, është shprehur Elezi.

21 komuna të Kosovës shkuan në balotazh në zgjedhjet e 14 tetorit, për të garuar përsëri në raundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajt të dielën e 14 nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore