
Tifozët e parë kanë hyrë në stadiumin “Air Albania” ku do të zhvillohet ndeshja e fundit për kualifikueset e Euro 2024 mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe.
Hyrja për tifozët ishte bërë e ditur se do të fillonte nga ora 17:45. Deri më tani tifozët ju janë nënshtruar kontrolleve të zakonshme nga Policia dhe një pjesë e tyre kanë hyrë në brëndësi të stadiumit.
Për sfidën e sotme pritet të jenë 22 mijë të pranishëm në shkallët e “Air Albania”. Pra stadiumi do të jetë i mbushur në kapacitet maksimal.
Takimi mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe do të fillojë nga ora 20:45. Në pushimin mes dy pjesëve dhe në përfundim të lojës do të ketë koncert me këngë dhe valle, si dhe një spektakël me fishekzjarre për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024.
Kujtojmë se Shqipëria u kualifikua në Euro 2024 pas barazimit 1-1 me Moldavinë tri ditë më parë. Ndeshja e sotme do u shërbejë kuqezinjëve për të ruajtur vendin e parë në grup.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com