Sport

Fillon faza e “Play-off”-it në elitën e basketbollit


Në mesjavë fillon faza e “Play-off”-it në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll, ku zhvillohen sfida e para çerekfinale.

Në takimin e parë do të përballen Peja dhe Bashkimi. Pejanët përfunduan në vendin e tretë me 18 fitore e dhjetë humbje, kurse prizrenasit në vendin e gjashtë me 12 fitore e 16 humbje.

Këto dy skuadra u përballën katër herë në edicionin e rregullt, ku tri herë fituan verdhezinjtë, kurse një herë portokallezinjtë.

Pejanët janë të motivuar pasi fituan Ligën Unike dhe e duan trofeun e dytë, kurse prizrenasit shpresojnë të kualifikohen në gjysmëfinale.

Sfida e dytë është ndërmjet Prizrenit 16 dhe Sigal Prishtinës, që pritet të jetë mjaft interesante. Të dy skuadrat përfunduan garat e rregullta me 15 fitore e 13 humbje.

Në duelet direkte mes tyre, tri herë fituan prizrenasit, ndërsa një herë prishtinasit.

Në gjysmëfinale kualifikohen skuadrat që shënojnë dy fitore.

Golden Eagle Ylli në gjysmëfinale e pret fituesin e ndeshjes Prizreni 16-Sigal Prishtina, kurse Trepça e pret fituesin e ndeshjes Peja-Bashkimi.

Play-off

E mërkurë

20:45 Peja – Bashkimi

E enjte

20:45 Prizreni 16 – Sigal Prishtina

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore