Sport

Fillon Australian Open, tërhiqet nga gara Kyrgios


Një ndër turnetë më të mëdha të tenisit në botë, Australia Open, ka startuar në orët e hershme të ditës së sotme (me kohën tonë lokale).

Me të filluar, ka ndodhur një gjë interesante në këtë turne, teksa tenisti australian, Nick Kyrgios, u tërhoq ende pa zhvilluar asnjë ndeshje.

Tenisti Australian dhe idhulli i vendasve është penalizuar nga një dëmtim në gju e që ia bën të pamundur pjesëmarrjen në turne.

Numri 21 i botës e deklaroi nëpërmjet një konference për media (ku u paraqit së bashku me fizioterapistin e tij) se e kishte të pamundur për të zhvilluar ndeshje.

“Jam i shkatërruar, bëhet fjalë për një turne që unë e luaj në shtëpi. Është fatkeqësi sepse isha një nga favoritët”, u shpreh Kyrgios.

Ndërkohë, në anën tjetër, shumë tenistë ia dolën të kalonin raundin e parë në Australian Open dhe mes tyre ishte edhe Rafael Nadal.

Nadal mposhti me shifrat 3:1, Jack Draper. Spanjolli fitoi setin e parë 7:5, por më pas humbi të dytin 2:6, për t’u rikthyer më pas në setin e tretë dhe të katërt me shifrat 6:4 dhe 6:1.

Në raundin pasardhës, 36-vjeçari do të përballet me amerikanin McDonald.

Sakaq, një biletë për në raundin pasardhës siguruan edhe italiani Janick Sinner që mposhti 0:3 Edmund.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore