Lajme

Filipine: Rriten rastet me COVID 19, përshkallëzohen masat kufizuese


Mëngjesin e 28 marsit, qindra filipinas qëndronin në radhë jashtë një tregu në kryeqytet. Qytetarët ishin në pritje për të blerë furnizimet, një ditë para se Manila të bllokohej.

Qeveria vendosi masa kufizuese në kryeqytetin filipinas dhe në provincat e Bulacan-it, Cavite-s, Laguna-s dhe Rizal-it.

Vendimi u mor pas rritjes së rasteve me COVID-19.

Bëhet me dije se nga 29 marsi deri më 4 prill do të kufizohet lëvizja në këto zona. Autoritetet njoftuan se është vendosur ora policore, përkatësisht nga ora 18 deri në orën 5 të mëngjesit. Më 27 mars, një zëdhënës i qeverisë  njoftoi se tubimet masive do të ndalohen.

Edhe shërbimet fetare që më parë lejoheshin me një kapacitet nën 10% tanimë nuk do të lejohen. Filipinet kanë regjistruar zyrtarisht më shumë se 700 mijë raste me COVID-19 dhe më shumë se 13 mijë vdekje që nga fillimi i pandemisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore