Lajme

MV/Filipçe: 50% e rasteve të reja i përkasin mutacionit të ri britanik


Ministri i Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (MV), Venko Filipçe, ka deklaruar, më 18 shkurt, se 50% e rasteve me COVID-19 i përkasin mutacionit britanik të virusit.

“Nga analizat e fundit është arritur në përfundimin se nga testimet e bëra që nga muaji janar, rastet e reja tregojnë ngjashmëri me mutacionin e ri të virusit”.

Filipçe tha se nuk shihet ndonjë ndryshim drastik me mutacionin e ri të virusit. Spitalet, sipas tij, nuk janë të tejmbushura.

“Megjithatë duhet të tregojmë kujdes, që të mos ndodhë rritje e konsiderueshme e numrit të qytetarëve që kanë nevojë për shërbim spitalor. Pasi, sipas testimeve, mutacioni i ri transmetohet më lehtë”.

Kujtojmë se në fillim të muajit shkurt, Filipçe theksoi faktin se në MV, janë identifikuar 20 variante të ndryshme të Coronavirus-it.

Ditën e martë, më 17 shkurt, ka nisur procesi i vaksinimit në MV. Sipas skemës së qeverisë maqedonase, të parët që po e marrin vaksinën është personeli mjekësor.

Sipas skemës së paraqitur nga qeveria, pas personelit mjekësor do të vaksinohen qytetarët mbi 70 vjeç.

“Pikat e vaksinimit do të funksionojnë me kapacitet maksimal, konkretisht nga 2 mijë deri në 2 mijë e 500 vaksinime në ditë”, pati deklaruar Filipçe.

Javën e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dhuroi MV-së, 4 mijë e 680 doza vaksine nga kompania “Pfizer”.

Përveç vaksinave të dhuruara nga presidenti i Serbisë, pritet që të mbërrijnë 200 mijë vaksina nga kompania kineze “SinoPharm”.

Vendi ka siguruar gjithashtu edhe 800 mijë vaksina nga kompania “AstraZeneca”, të cilat priten të mbërrijnë në muajin mars.

Deri më tani, në MV ka pasur 3 mijë e 10 humbje jete, që nga shfaqja e Coronavirus-it. Raste aktive në total janë 97 mijë e 803, ndërsa të shëruar 88 mijë e 469 njerëz.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore