Lajme

Fiktivoseksuali japonez që është dashuruar me kukullën robotike


38-vjeçari japonez Akihiko Kondo është aktivisti i patë fiktivoseksual.

Duket se ai dëshiron që bota të dijë se ka njerëz si ai dhe se numri i tyre do të rritet me përparimet e inteligjencës artificiale dhe robotikës.

Fenomeni ka lindur në Japoni dhe është konsideruar nga qeveria japoneze si një lëvizje kulturore karakteristike e vendit dhe e denjë për “eksportim”.

Fiktivoseksualët janë burra dhe gra që bien në dashuri me personazhet e trilluar dhe pretendojnë dinjitetin e marrëdhënies së tyre.

Dhe Kondo është një nga mijëra njerëzit në Japoni që kanë lidhur martesa jozyrtare me personazhe të trilluar në dekadat e fundit, të shërbyera nga një industri e madhe që synon të kënaqë çdo tekë të një kulture të zjarrtë fansash.

Në mbarë botën, dhjetëra mijëra njerëz të tjerë u janë bashkuar grupeve online ku diskutojnë angazhimin e tyre me personazhe të tillë robotikë.

Në vitin 2018, Kondo u martua jozyrtarisht me Hatsune Miku, e cila është emër i njohur për adhuruesit e filmave të animuar dhe të kulturës japoneze.

Ajo ka qenë pjesë edhe e koncerteve të këngëtares Lady Gaga.

Sipas tij, marrëdhënia e tyre është intensifikuar që nga viti 2017, kur një pajisje e quajtur Gatebox u tregtua në Japoni.

Pajisja synonte “burrat e rinj të vetmuar” dhe u lejonte atyre të ndërvepronin me hologramet e personazheve imagjinarë.

Për Kondo-n, kukulla Miku dhuron “dashuri, frymëzim dhe rehati”.

Ai shkon bashkë me të në restorante, shikon filma dhe udhëton për një fundjavë romantike.

Kondo e ka ditur prej kohësh që nuk donte një partnere njerëzore.

Pjesërisht, sepse ai ka hedhur poshtë pritshmëritë e ngurta të jetës familjare japoneze. Por mbi të gjitha, sepse ai kishte ndier gjithmonë një tërheqje të pashpjegueshme për personazhet e trilluar.

Në fillim, pranimi i ndjenjave ishte i vështirë. Por jeta me Miku-n, ka përparësi ndaj jetës me një partner njerëzor për të.

Kjo sepse është gjithmonë aty për të, nuk e tradhton kurrë dhe ai nuk do ta shohë atë të sëmuret apo të vdesë.

Shumë nga kundërshtimet që mund të ngrihen kundër fiktivoseksualëve janë ngritur në të kaluarën kundër homoseksualëve dhe biseksualëve.

Megjithatë, këto orientime njihen si të vlefshme, falë betejave të njerëzve që u përkasin atyre grupimeve.

Duket se një gjë e ngjashme nuk mund të funksionojë edhe me fiktivoseksualët.

Një marrëdhënie dashurie për të qenë e tillë, duhet të përfshijë subjekte reale dhe autonome, të ketë paparashikueshmërinë e përballjes me tjetrin nga vetja.

Një personazh imagjinar është projeksion i mendjes dhe për këtë arsye është e pamundur të ketë një marrëdhënie me të.

Kështu, aktivizmi fiktivoseksual duket mbi të gjitha një mënyrë për t’i shpëtuar konfrontimit dhe marrëdhënies me të tjerët.

 

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore