Boterori 2022

FIFA për Albanian Post: Është hapur procedura disiplinore për Kombëtaren e Serbisë


Në zhveshtoren e kombëtares së Serbisë në Katar, para ndeshjes me Brazilin u shfaq një flamur fashist me ngjyra nacionale të Serbisë dhe me hartën e Kosovës brenda.

Të shtunën më datën 26 nëntor, FIFA është përgjigjur për Albanian Post, ku informon se procedura diciplinore për Kombëtaren e Serbisë ka filluar.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamuri të shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes me rastin e ndeshjes Brazil – Serbi në Kupën e Botës të luajtur më 24 nëntor. Procedurat u hapën në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës FIFA 2022”, thuhet në përgjigjen e FIFA-s.

Çfarë ndodhi?

Brenda zhveshtores së ekipit futbollistik serb në Katar është fotografuar një flamur me ngjyra të Serbisë dhe me hartën e Kosovës.

Flamuri fashistë përveç në kabinën e futbollistëve serbë është parë edhe në duar të tifozëve atje.

Një nga fotografitë është bërë para stadiumit “Lusail” ku Serbia luajti kundër Brazilit.

Flamuri-baner përmban simbole rreth të cilave organizohet gjuha fashiste dhe ksenofobike e serbëve ndaj shqiptarëve.

Një retorikë e tillë ishte e theksuar ndejshëm në vitet 90-ta para dhe gjatë luftërave në Jugosllavi.

Kosova është e pranuar në FIFA, derisa shtëpia e futbollit në të kaluarën është treguar shumë e ashpër me simbole dhe mesazhe të tilla.

Ndryshe, Serbia e humbi ndeshjen ndaj Brazilit me dy golat e shënuar nga sulmuesi i ekipit anglez Tottenham Hotspur, Richarlison.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore