Sport

FIFA dënon edhe Poloninë për shishet e hedhura në stadiumin “Air Albania”


Për shkak të incidentit të ndodhur në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri – Poloni, ku tifozët e të dyja skuadrave hodhën shishe plastike në drejtim të fushës, nuk ka shpëtuar pa u dënuar as Federata e Futbollit të Polonisë.

Fillimisht Federata Shqiptare e Futbollit është dënuar që ndeshjen e radhës ta zhvillojë pa praninë e tifozëve dhe me një gjobë prej 150 mijë frangash.

Por, pasi analizuan pamjet ku shihej se edhe tifozët polakë hodhën shishe në drejtim të fushës dhe të tifozëve shqiptarë, FIFA vendoi të mos mbyllë sytë, por t’iu jap një dënim edhe atyre.

Pra, Federata e Futbollit të Polonisë, mori një dënim prej 50 mijë frangash dhe tifozët e tyre nuk mund të udhëtojnë në ndeshjen që Polonia do ta zhvillojë përballë Andorrës më 12 nëntor, takim ky i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Botëror.

Kujtojmë që ndeshja e zhvilluar mes Shqipërisë dhe Polonisë, përfundoi me fitore minimale të këtyre të fundit, humbje kjo për Shqipërinë, e cila thuajse ka shuar shpresat për një kualifikim në Kampionatin Botëror, “Katar 2022”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore