Sport

FIFA 22 – Juventus, Lazio, Roma dhe Atalanta me emra të ndryshëm


Pavarësisht partneritetit midis “Electronic Arts” (EA) dhe Serie A, katër klube nga kjo ligë nuk do të përfaqësohen zyrtarisht me emrin e tyre në edicionin e ri të videolojës FIFA 22. Bëhet fjalë për skuadrat e Juventus-it, Lazio-s, Roma-s dhe Atalanta-s.

Muajit e fundit është miratuar marrëveshja mes Serie A dhe “Electronic Arts”, e cila do të jetë Partnere Zyrtare e Serie A dhe do të ketë të drejtën e përdorimit të grafikave të logove, topit, lojtarëve dhe trofeve nga ky kampionat në videolojërat e saj.

Por, disa klube kanë krijuar marrëveshje individuale me këto kompani lojërash dhe në rastin konkret katër klubet nga Serie A kanë marrëveshje me “Konami”, i cili prodhon lojën “Pro Evolution Soccer”, që nga ky vit do të quhet “eFootball”.

Në këtë mënyrë, EA Sports nuk ka të drejtën për të përdorur emrin, logon dhe fanellat e këtyre ekipeve.

Klubet në FIFA 22 do të quhen: Juventus – Piemonte Calcio, Lazio – Latium (sipas emrin latin të Rajonit të Lacios), Roma – Roma FC dhe Atalanta – Bergamo Calcio.

Sidoqoftë, me lojtarët nuk do të ndryshojë asgjë, pasi ata do të kenë emrin dhe figurën e tyre, në bazë të marrëveshjes që EA Sports ka me FIfPro (Shoqata Botërore e Futbollistëve).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore