Shqipëria

Fierza në nivele të ulta, KESH thirrje për përdorim eficent të energjisë


Rezervat ujore në Hidrocentralin e Fierzës, furnizuar nga prurjet e dy degëve të Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi kanë rënë ndjeshëm.

Kështu ka njoftuar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila thekson se prurjet kanë rënë në 60 metër kub për sekondë.

Kjo pas thatësirës së madhe që ka kapluar vendin.

Niveli në liqen ka arritur në 287 metra mbi nivelin e detit nga 289.7 që ishte në muajin qershor.

Sipas KESH-it, rritja e temperaturave ka shtuar edhe rritjen e konsumit të energjisë elektrike në vend.

Kështu, në bazë të të dhënave të publikuara, konstatohet si shpenzim ditor rreth 19 mijë MwH ose 2-3 mijë MwH më shumë se fundi i qershorit.

Një vit më parë e gjithë rezerva energjetike në kaskadën e Drinit, u përdor për muajt e verës me shpresën se do të nisin reshjet, por sezoni dimëror nuk rezultoi i lagësht, duke vënë në vështirësi dhe rritjen e shpenzimeve nga ana e qeverisë për blerjen e energjisë.

Nga janari deri në muajin maj, KESH ka shpenzuar 145 milionë euro për importe të energjisë elektrike, thuajse 1 milion euro në ditë.

Kësisoj, KESH iu bën thirrje konsumatorëve të përdorin në mënyrë sa më eficente energjinë elektrike.

Ndërkohë, prej disa ditësh, Shqipëria është përfshirë nga vala e të nxehtit afrikan, ku temperaturat kanë kaluar 40 gradë celsius.

Por, duke nisur nga dita e premte, temperaturat do të pësojnë një ulje të ndjeshme sa u përket vlerave maksimale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore