Pajisje

Fibrat optike të Facebook-ut në shtetin nigerian ndryshojnë prioritetet e kompanisë


Në Edo të Nigerisë, kur zyrtarët qeveritarë u përpoqën të përmirësonin rrënjësisht aksesin e dobët në internet për popullsinë vendase prej katër milionë banorësh, nuk u duhej të kërkonin shumë ndihmë.

Një kompani përgjegjëse për vendosjen e një rrjeti të gjerë kabllosh me fibra optike në të gjithë Afrikën Perëndimore e quajtur MainOne ishte partnere e dukshme.

Kurse një tjetre, më pak i dukshëm, ishte Facebook-u.

Pasi ishte nënshkruar një marrëveshje e përbashkët për instalimin e kabllove me fibra optike që kalonin nëpër kryeqytetin Benin City.

Që nga viti 2019, 400 kilometra kabllo janë vendosur në Edo, rreth një e katërta përmes partneritetit midis dy kompanive dhe qeverisë.

“Facebook-u nuk është me të vërtetë një kompani e infrastrukturës dixgjtale, por ata investuan në këto kabllo”, ka thënë një ish-zyrtar i ;artë qeveritar, Emmanuel Eweka.

Në Perëndim, teksa kompania është vënë në presion në rritje vitet e fundit, ajo ka zgjeruar praninë në Afrikë, veçanërisht në vendet ku mjedisi rregullator dhe legjislativ priret të jetë shumë më i lirë.

“Për t’i bërë të dhënat e internetit më të përballueshme, Facebook-u duhet të ndërtojë infrastruktura pothuajse falas”, ka vënë në dukje Eweka.

“Në fakt, Facebook-u humbet për sa i përket fitimit të parave nga ato kabllo. Por më pas, fitojnë të dhënat e përdoruesve që do të gjenerojnë dhe padyshim që ka potencial të madh në një vend si Nigeria”, ka shtuar ai.

Në vendin me popullsi në rritje, përdoruesit e rinj potencialë shfaqen me shpejtësi. Ngjashëm edhe përdorimi nga ana e tyre e telefonave inteligjentë.

Në Nigeri, pak më shumë se gjysma e popullsisë ka akses në internet dhe përqindja e aksesit rritet çdo vit.

Në vende si Edo, ku zyrtarët qeveritarë janë të përkushtuar për të riparuar aksesin e rrallë dhe të shtrenjtë në internet, ka mundësi të mira që Meta, kompania mëmë e Facebook, të bëhet gjithnjë e më qendrore në infrastrukturën digjitale.

Godwin Obaseki, guvernatori i Edo-s, vitet e fundit ka drejtuar një agjendë digjitalizimi që prek shumë fusha të jetës së zakonshme dhe kompanitë e teknologjisë janë bërë pjesë themelore e saj.

Facebook-u, në vitin 2019, ka investuar 20 milionë dollarë në infrastrukturën e internetit në Edo dhe është angazhuar së bashku me MainOne për të vendosur 750 kilometra kabllo me fibra optike në Edo dhe shtetin jugperëndimor Ogun.

Të dy shtetet janë angazhuar për ndërtimin e qendrave të biznesit dhe teknologjisë, duke zgjeruar aksesin në internet për sipërmarrësit, punonjësit e teknologjisë, agjencitë qeveritare dhe shkollat.

Madje, interneti i furnizuar përmes kabllove ka mbështetur një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si funksionon qeveria në Edo.

Eweka ka treguar se shërbimi civil ka qenë analog ndërsa tanimë përdor një portal qeveritar me bazë në Microsoft, duke përdorur akses në internet me fibra optike të ofruar nga MainOne dhe Facebook.

“Niveli i llogaridhënies që sjell ky sistem është tejet efektiv”, ka theksuar ai.

Sakaq, shkollat në Edo dhe zonat ku mund të aksesohen kabllot me fibra optike kanë përfituar nga lidhja e subvencionuar e internetit dhe punojnë me programe mësimore të bazuara në Microsoft.

Çka për zyrtarët shihet si përmirësim i cilësisë së arsimit.

Sipërmarrësi 38-vjeçar Stephen Osawaru punon me një rrjet prej më shumë se 300 startup-esh në shtet.

“Shumë biznese të internetit në arsim, bujqësi, shëndetësi dhe financa nuk ekzistonin pesë vjet më parë. Tani kanë përfituar nga ndërlidhja në Edo”, ka treguar ai.

“Interneti është më i mirë dhe më i lirë se sa ishte pesë vjet më parë. Depërtimi i internetit po rritet me një ritëm eksponencial dhe po krijon më shumë mundësi”, ka vijuar.

Të dy bizneset e tij kanë lulëzuar si rezultat i angazhimit përmes Facebook-ut dhe Instagram-it, si dhe përmes transmetimeve WhatsApp për klientët.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Meta-s ka thënë se kompania ka punuar me partnerët “për të nxitur inovacionin në të gjitha aspektet e performancës dhe efikasitetit”.

Dhe se partneriteti me MainOne ka ndihmuar në sjelljen e trajnimit online për dy mijë mësues në Edo dhe lidhjen me katër shkolla dhe komunitetet e tyre përreth.

 

Marrë nga “The Guradian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore