Sport

FIBA përgëzon FBK-në për organizimin e “FIBA U16 European Challenger”


FIBA Evropa përmes një letre drejtuar krerëve të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka përgëzuar këta të fundit për organizimin dhe mbarëvajtjen e “FIBA U16 European Challenger”, që u mbajt në Prishtinë.

“Në emër të FIBA Evropës, do të doja të shpreh mirënjohjen time për federatën tuaj nacionale për organizimin e një FIBA Youth European Challenger 2021 në vendin tuaj”.

“Mbështetja dhe përpjekjet tuaja në lidhje me organizimin, por veçanërisht zbatimin e plotë të protokolleve Covid-19, ishin elementet kryesore për zhvillimin e garave, që për shumë federata nacionale mund të kenë qenë garat e para zyrtare për gjeneratat e reja pas përhapjes së pandemisë në vitin 2020”, thuhet në letrën e falënderimit të FIBA Evropa.

Grupi F i kësaj gare u mbajt në Prishtinë nga data 16 deri më 21 gusht, nën organizimin e FBK-së.

Pjesë e këtij grupi ishin: Kosova, Shqipëria, Luksemburgu, Moldavia, Malta dhe Gjibraltari, ndërsa kanë qenë basketbollistët e rinj të Kosovës të cilët dolën të parët në grup.

Pas pesë ndeshjeve të luajtura, 16-vjeçarët e Kosovës ishin brilant me paraqitjet e tyre, të cilët shënuan po aq fitore, madje duke mbyllur grupin me 526 pikë të shënuara dhe 170 të pësuara.

Dhe, në fund FIBA e uron suksese FBK-së në organizimin dhe pjesëmarrjen e klubeve kosovare, në garat ndërkombëtare.

“Ne ju urojmë suksese me organizimin e edicionit tuaj të kampionateve nacionale 2021/22 dhe me padurim presim të shohim klubet tuaja dhe ekipet nacionale seniore në garat e ardhshme të FIBA”, thuhet ne letrën e FIBA-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore